Lidhje

Shpallja e zgjedhjeve dëmton procesin e pajtimit mes palestinezëve


Autoriteti palestinez ka shpallur datën e zgjedhjeve, duke e bërë më të vështirë perspektivën për bisedime të bashkimit kombëtar me rivalët e tij militantë islamikë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Robert Berger njofton nga zyra jonë në Jeruzalem.

Presidenti palestinez i përkrahur nga perëndimi, Mahmud Abas, nënshkroi një dekret për të mbajtur zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare me 24 janar. Por ky njoftim e thelloi më tej ndarjen mes palestinezëve.

Votimet duhet të zhvillohen në Bregun Perëndimor, i cili kontrollohet nga zoti Abas, dhe në Rripin e Gazës që sundohet nga fraksioni i tij rival Hamas. Por Hamasi e hodhi poshtë menjëherë thirrjen për zgjedhje duke thënë se kjo ishte e paligjshme dhe jokushtetuese.

Zyrtari i lartë i Hamasit Ahmad Bahar tha gjatë një konference për shtyp në Gaza se vendimi i zotit Abas ishte i paligjshëm dhe se ai nuk kishte autoritetin për të shpallur zgjedhje. Ai tha se zoti Abas duhet të hidhet në gjyq për pretendimin e tij se është president.

Hamasi i nxori forcat e Fatahut të zotit Abas gjatë luftës civile palestineze në gaza në vitin 2007 dhe mori kontrollin e Rripit. Që atëherë, dy fraksionet kanë qenë në armiqësi. Zoti Abas është tani në krye të një qeverie më të moderuar palestineze në Bregun Perëndimor dhe mbështet procesin e paqes me Izraelin.

Duke folur para anëtarëve të Fatahut në qytetin e Bregut Perëndimor të Ramallahut, presidenti Abas e sulmoi edhe Hamasin.

Hamasi e përshkruan qeverinë time si të paligjshme, tha ai. Por Hamasi ishte ai që erdhi në pushtet përmes një grushti shteti. Zoti Abas tha se kjo ishte e paligjshme. Ai tha se kushtetuta palestineze kërkon që ai të mbajë zgjedhje në muajin janar.

Ndarjet mes palestinezëve përbëjnë një pengesë të madhe në krijimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe në Gazë, i cili është edhe qëllimi i procesit të paqes të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara. Hamasi refuzon të heqë dorë nga dhuna apo ta njohë Izraelin, ndërsa Izraeli thotë se për sa kohë ky grup do të jetë në pushtet në Rripin e Gazës, nuk mund të ketë shtet palestinez.

Egjipti është përpjekur ta tjekalojë këtë pengesë duke ndërmjetësuar bisedime pajtimi mes Hamasit dhe Fatahut. Por siç tha një zyrtar i Hamasit: Zoti Abas i ka dhënë një "goditje vdekjeprurëse pajtimit.”

XS
SM
MD
LG