Lidhje

Nënshkruhet marrëveshja e koalicionit në Gjermani



Kancelarja gjermane Angela Merkel nënshkroi sot një marrëveshje për një qeveri të re të koalicionit të qëndrës së djathtë pas disa javë negociatash. Konservatorët kristian-demokratë të kancelares Merkel dhe demokratët e lirë pro-biznesit ranë dakort për një program që do të përfshijë shkurtimin e taksave prej rreth 36 miliardë dollarësh. Programi është hartuar të nxisë rritjen ekonomike për ta nxjerrë vendin nga recesioni.

Kancelarja gjermane Angela Merkel njoftoi qeverinë e re të koalicionit të qendrës së djathtë me demokratët e lirë. Partneri i ri i koalicionit Guido Westerwelle do të jetë ministër i jashtëm.

Zonja Merkel tha se marrëveshja do të zgjidhë me trimëri problemet e vendit.

“Mund t’u them se mirëpres bashkëpunimin në koalicionin e re. Negociatat nuk kanë qënë gjithmonë të lehta por ato e bënë të qartë seriozitetin e punës sonë dhe se do të fillojmë punën me guxim dhe kënaqësi. Besoj se do të jemi një grup i mirë në qeveri".

Kristian-demokratët e zonjës Merkel, partia bashkimi social kristian dhe demokratët e lirë u bashkuan sot në koalicion pas gati katër javë negociatash, që pasuan zgjedhjet e 27 shtatorit.

Guido Westerwelle, udhëheqësi i demokratëve të lirë tha në konferencën e përbashkët për shtyp me zonjën Merkel se marrëveshja për koalicionin e ri ishte një arritje për vendin.

Ai është emëruar si ministër i jashtëm dhe menjëherë shfaqi synimin që të gjitha armët bërthamore të hiqen nga toka gjermane.

"Politika e jashtme nuk është thjesht rreth vazhdimësisë. Është edhe për fillime të reja. Jam i kënaqur që koalicioni është dakort për fillimin e bisedimeve me aleatët tanë sapo të marr detyrën, në mënyrë që Gjermania të jetë një vend pa armë bërthamore".

Disa qindra protestues u mblodhën sot në Berlin dhe qytetet të tjera gjermane për të protestuar kundër shkurtimeve sociale të qeverisë së re. Protestuesit u mblodhën pasi kancelarja Mercel dha hollësi për platformën e qeverise së re përfshi sistemin e shërbimit shëndetësor, rritjen e subvencioneve për fëmijët dhe shkurtimin e taksave.

XS
SM
MD
LG