Lidhje

Rritet në 155 numri i të vdekurve nga shpërthimet në Bagdat


Autoritetet irakiane thonë se numri i të vdekurve nga dy shpërthime të fuqishme dje në Bagdatin qendror ka arritur në 155. Më shumë se 500 u plagosën nga sulmi.

Shpërthimet gati të njëkohëshme pranë zonës së gjelbër të superfortifikuar, kishin si objektiv një ndërtesë të qeverisë provinciale si dhe Ministrinë e Drejtësisë.

Kryeministri irakian, Nuri al-Maliki shkoi në vendin e ngjarjes, pak pas shpërthimeve që u shkaktuan dëme të mëdha ndërtesave.

Presidenti Barak Obama i telefonoi zotit Maliki dhe presidentit Xhalal Talabani, për t'i shprehur ngushëllime dhe për të përsëritur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj irakianëve.

Kryeministri al-Maliki tha se shpërthimet synonin të krijojbnë instabilitet dhe të pengojnë zgjedhjet e planifikuara për në janar. Zyra e kryeministrit fajësoi al-Kaidën dhe elementë të partisë Baath për shpërthimet.

Dhuna në Irak ka rënë ndjeshëm gjatë vitit të fundit, megjithatë kryengritësit vazhdojnë të ndërmerrin sulme sporadike si kundër forcave të sigurimit ashtu edhe kundër civilëve. Zyrtarët kanë paralajmëruar se zulmet mund të shtohen në prag të zgjedhjeve të janarit. (ze)

XS
SM
MD
LG