Lidhje

Gazetari Bob Udrof krijon një fondacion për ushtarët e plagosur në luftë

  • Martin Fillips
  • Bernard Shusman

Në vitin 2006, korrespondenti i televizionit amerikan ABC, Bob Woodruff, u plagos ndërsa kishte shkuar për të mbuluar luftën në Irak. Ai pësoi një dëmtim traumatik në tru me pak shpresë për të jetuar. Por Woodruff u shërua dhe tani ai është i vendosur për të ndihmuar amerikanë të tjerë, të cilët janë plagosur, ashtu sikurse ai, në luftë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Bernard Shusman e intervistoi gazetarin në shtëpinë e tij në Rye, të Nju Jorkut.

Bob është sot mbrojtës i të drejtave të veteranëve të plagosur në luftë.

Si gazetar, Bob Woodruff ka shkuar në Irak disa herë për të raportuar. Por kur shkoi në Irak për herë të shtatë, në janar të vitit 2006, ai u plagos.

Ai ishte duke regjistruar një raport nga një tanks që po patrullonte, kur u godit nga një pajisje shpërthyese e improvizuar.

"Bomba shpërtheu rreth 6 metra larg në këtë drejtim dhe më shpoi kokën - tregon ai - Nga qafa filloi të më dilte gjak. Përkthyesi, i cili ndodhej në tanks me mua, ma vuri dorën në qafë, për të ndaluar gjakderdhjen. Në se ai nuk do ta kishte bërë një gjë të tillë, ndoshta unë nuk do të kisha shpëtuar..."

Mjekët ia hoqën Bobit një pjesë të kafkës, sepse truri i tij kishte filluar të enjtej. Atë e vunë me inxheksion në gjendje kome për më tepër se një muaj, sepse plagët ishin tepër të rënda. ... Dhe ai mundi të shpëtojë...

Tani Bob Woodruff është kthyer përsëri në punën e tij në televizionin ABC. Emisioni i tij parë televiziv ishte për historinë e tij dhe atë të mijëra pjesëtarë të trupave amerikane që kanë pësuar dëmtime traumatike të trurit dhe për rrjedhojë, stres post-traumatik, apo PTSD.

"Me ata që humbin këmbët, ose krahët, dihet se ç'duhet bërë për t'i bërë ata të ecin apo lëvizin përsëri. Por ushtarët që kthehen me çrregullime post traumatike, për shkak se kanë qenë në disa luftëra dhe larg familjeve, gjendja është tepër e rrezikshme dhe e frikshme, sidomos ata persona që kanë pësuar dëmtime në tru. Kjo diagnozë është e vështirë jo vetëm të përcaktohet, por në fund të fundit, edhe për t'u kuruar". - thotë ai

Por shumë veteranë të luftës nuk marrin kujdesin mjekësor që u nevojitet. Për këtë arsye, bashkë me gruan e tij, Lee, Bob Woodroff krijuan Shoqatën Bob Woodruff, për t'u ardhur në ndihmë ushtarakëve, veteranëve dhe familjeve të tyre. Lee Woodruff thotë se shoqata ka grumbulluar rreth 2 milionë dollarë.

"Ne po i kërkojmë të gjithë amerikanëve të japin nga 1 dollar për 1,6 milionë ushtarët që kanë shërbyer në Irak dhe në Afganistan." - thotë ai

Kjo është e rëndësishme, thotë ajo, sepse mjekimi dhe rasti i shpëtimit të burrit të saj janë diçka tepër e rrallë:

"Rasti i Bobit nuk është i zakonshëm. Prandaj, kur flas me familjet dhe ato më thonë "Ndoshta edhe burri im mund ta kapërcejë këtë gjendje ashtu si Bobi", unë gjithmonë përpiqem të mos bëj premtime, sepse rasti i Bobit ishte një mrekulli nga pikëpamja mjekësore, pra që ai mundi të shpëtojë"

Ditën kur ne e vizituam, Bobi po përgatiste mëngjezin për fëmijët e tij binjakë, Nora dhe Claire, që ishin 6 vjeçë kur ai u plagos. Por ai thotë, se dhuna në Irak dhe në Afganstan dhe përpjekjet për të ndihmuar ushtarët e plagosur do të jenë një përparësi e përhershme në jetën e tij. //mm//


XS
SM
MD
LG