Lidhje

Njeriu dhe e ardhmja e fluturimeve në hapësirë


Njeriu i dytë që shkeli në Hënë, Baz Olldrin, thotë se është koha të kalohet në një fazë më tej të eksplorimit të hapësirës. 40 vjet më parë, Olldrin ishte pjesë e ekipit të parë që vizitoi Hënën dhe sot në moshën 79-vjeçare ai ende ruan gjallërinë e një astronauti. Duke kujtuar rivalitetin mes superfuqive që çoi në garën se kush do të shkelte i pari në Hënë, ish oficeri i forcës ajrore amerikane thotë se bashkëpunimi ndërkombëtar duhet të jetë sot tema e fluturimeve me njerëz nga Toka.

Ishte momenti që elektrizoi botën kur moduli hënor Eagle u ul në Detin e Qetësisë më 20 korrik 1969. Nil Armstrong dhe Baz Olldrin ishin njerëzit e parë që shkelnin mbi Hënë. Dhjetë astronautë të tjerë do të ndiqnin shembullin e tyre.

Olldrin thotë se ishte rivaliteti mes superfuqive të botës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik që e bëri të mundur dërgimin e njeriut në Hënë. Por pas arritjes së këtij qëllimi, gara nuk mjaftonte për ta mbajtur gjallë programin. Gjatë ekuipazhe të tjerë do të uleshin në Hënë mes viteve 1969 dhe 1972.

"Këto histori duhet të vazhdojnë të tregohen pa pushim," thotë Baz Olldrin.

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, iu kthye më pas projekteve të tjera, duke përfshirë programin shuttle dhe Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, ku marrin pjesë 16 vende, mes tyre Rusia, Japonia dhe 11 vende europiane.

Duke folur për temën e ndryshimit që Presidenti Barak Obama përdori me sukses në fushatën për Shtëpinë e Bardhë, Olldrin thotë se një ndryshim që ai do të donte të shihte në vitet e ardhshëm është bashkëpunimi më i madh ndërkombëtar për eksplorimin e hapësirës.

"Ne, Shtetet e Bashkuara, mund të ndihmojmë partnerët ndërkombëtarë që mund të sjellim në stacionin e hapësirës, Kinën, Indinë, Korenë e Jugut, Brazilit, duke filluar pak nga pak ta shikojmë Hënën si një projekt ndërkombëtar. Përvoja amerikane mund të ndihmojë vendet e tjera të ulen në Hënë dhe ne do të punojmë me ta por jo të shpenzojmë burimet dhe raketat tona të mëdha për të shkuar vetë në Hënë sepse ne tashmë e kemi bërë këtë."

Në vitin 2003, Presidenti Xhorxh Bush shpalli plane për t’i dërguar përsëri astronautët në Hënë deri në vitin 2020 dhe për ta përdorur Hënën si bazë për fluturime drejt planetit Mars.

Olldrin beson se Shtetet e Bashkuara duhet ta kthejnë vemendjen fuqishëm drejt dërgimit të njeriut në Mars.

"Nuk do ta quaja të tepruar të them se ne mund ta arrijmë këtë në vitin 2031."

Olldrin beson se vendet e ndryshme mund të konkurrojnë në zbulimin e teknologjive të reja të hapësirës por ato duhet të bashkojnë përpjekjet dhe burimet përsa i përket ndërmarrjes së misioneve të largëta. Risku është mjaft i madh, thotë ai, sepse ky objektiv do të kërkojë atë lloj roli udhëheqës që kanë treguar në të kaluarën eksploruesit e mëdhenj gjatë gjithë historisë.

"Natyra historike e një udhëheqësi botëror që i hyn rrugës realiste mbi 20-vjeçare për të marrë qeniet nga një planet si Toka dhe për të filluar ndërtimin e një vendbanimi të përhershëm e në rritje në një tjetër planet të sistemit tonë diellor. Historikisht, për mendimin tim, ky njeri do të ishte më i madh se sa Jul Qezari, Aleksandri i Madh, Magelani, Kolombi apo Kenedi."

Olldrin i ka hedhur të gjitha ulje-ngritjet e jetës së tij në një libër të quajtur "Magnificent Desolation" – “Shkretia Madhështore”, ka shkruar gjithashtu një libër për fëmijë me titull "Look to the Stars," “Shihni nga yjet” që synon të frymëzojë eksploruesit e së ardhmes.//ze

XS
SM
MD
LG