Lidhje

Hagë: Hapet gjyqi i Karaxhiçit, i pandehuri nuk paraqitet

  • Comitau
  • Boss

Në Hagë u hap gjyqi për krime lufte kundër ish udhëheqësit serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç, por pa pjesëmarrjen e të pandehurit. Karaxhiç refuzoi të marrë pjesë në sesionin e hapjes duke këmbëngulur se ka nevojë për më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen e vet. Por kryeprokurori i gjykatës Serzh Bramerc thotë se pas 15 muajve në burg, dhe me ndihmën e ekipit të tij të këshilltarëve ligjorë, Karaxhiç duhet të ishte i gatshëm për gjykimin. Fillimi i seancës u shty për të martën.

Karaxhiç përballet me 11 akuza përfshirë gjenocid dhe orkestrimin e masakrës së Srebrenicës në vitin 1995 ku u vranë tetë mijë burra dhe djem myslimanë. Karaxhiç deri tani ka refuzuar të deklarojë fajësinë apo pafajësinë e tij. Ai gjithashtu pretendon se ka bërë një marrëveshje për imunitet me diplomatin amerikan Riçard Holbruk, i cili ndihmoi në përfundimin e luftës në Ballkan.

Zoti Hollbruk mohon të ketë bërë ndonjë marrëveshje.

Karaxhiç ka zgjedhur të vetmbrohet dhe pretendon se ka rreth një milion faqe për të shqyrtuar. Megjithatë, kjo gjë nuk pritet t’i pengojë prokurorët të fillojnë çështjen e tyre më të rëndësishme që nga çështja e ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç. Ai vdiq në burg para tre vjetësh para se të shpallej aktgjykimi kundër tij.

Kryeprokurori i gjykatës Serzh Bramerc thotë se me ndihmën e ekipit të tij të këshilltarëve ligjorë, Karaxhiç duhet të ishte i gatshëm për gjykim.

“Nëse ka pasur kohë të shkruaj 250 ankesa, atëherë duhet të kishte pasur kohë të lexonte edhe dosjen voluminoze. Prandaj, ne mendojmë se të drejtat e të pandehurit janë respektuar.”

Ish politikani 64-vjeçar, psikiatër dhe poet akuzohet për dy vepra gjenocidi, një për masakrën e Srebrenicës, dhe e dyta për spastrimin etnik të myslimanëve dhe kroatëve nga disa pjesë të Bosnjës. Karaxhiç akuzohet edhe për persekutim, zhdukje dhe vrasje si dhe kapjen e paqeruajtësve të OKB-së peng, si dhe për shtetrrethimin 44-mujor të Sarajevës. Prokurorët thonë se mijëra vetë u vranë dhe u plagosën gjatë shtetrrethimit.

Regjizorja nga Amsterdami Lidia Seloviç u largua nga Sarajeva në vitin 1992, pak pasi u dëgjuan krismat e para të armëve.

“Mendoj se është një mrekulli që ai është në gjyq. Mendoj se është koha e duhur. Situata në Bosnjë është kaq e paqëndrueshme sa kjo do ta ndihmonte të qetësohej. Dhe nëse gjyqi i Karaxhiçit do ta bëjë këtë, atëherë ai duhet të gjykohet sa më shpejt.”

Karaxhiç thotë se është i pafajshëm. Ai po kërkon prova nga disa vende për të vërtetuar se po mbronte vendin e tij. Ai madje thotë se ka bërë një marrëveshje me diplomatin amerikan Riçard Holbruk pas luftës, e cila do t’i jepte atij imunitet nga ndjekja penale nëse largohej nga jeta publike. Gjykatësit në Hagë kanë vendosur se edhe po të ekzistonte një marrëveshje e tillë, ajo nuk do të ndikonte tek gjyqi i Karaxhiçit.

Prokurori Bramerc thotë se mungesa e bashkëpunimit të Karaxhiçit me gjykatën do ta bëjë çështjen më të vështirë. Megjithatë, ai thotë se ekipi i tij do të vazhdojë punën.

“Kjo nuk është çështje trafikimi armësh apo numrash. Bëhet fjalë për plane dhe ekzekutimin e tyre për të hequr dhjetra mijëra njerëz nga zona të caktuara duke i vrarë, futur nëpër kampe dhe përdhunuar ata. Ky është thelbi i kësaj çështjeje. Ne do ta theksojmë vazhdimisht se kjo është çështja, kjo është tema. Dhe ne duam që viktimat të jenë në qendër të paraqitjes së kësaj çështjeje.”

Dhjetëra viktima kanë udhëtuar nga Bosnja për të parë hapjen e këtij gjyqi. Por një nga personat që ata mendojnë se ishte përgjegjës ndodhet ende në arrati—kreu ushtarak i Karaxhiçit, gjenerali Ratko Mlladiç. Por siç u thanë gazetarëve një grup të mbijetuarish të Srebrenicës, ata kanë ardhur për t’i treguar botës se po kërkojnë të vërtetën dhe presin drejtësi.

Gjykata e Hagës ka thënë se pavarësisht akuzave për bojkot nga ana e Karaxhiçit, ata planifikojnë ta fillojnë gjykimin gjithsesi. Vëzhguesit e gjyqit vënë në dukje se gjykatësit mund t’i fillojnë procedurat edhe pa të, ose ta detyrojnë të pandehurin apo avokatin e tij të marrin pjesë.

Qeveria e Serbisë e ekstradoi Karaxhiçin në Hollandë në vitin 2008, 13 vjet pasi ai ishte akuzuar zyrtarisht për krime lufte.

Prokurorët kanë shprehur zhgënjim që një tjetër i dyshuar kryesor në masakrën e Srebrenicës, ish komandanti serb i Bosnjës Ratko Mlladiç vazhdon të jetë në arrati, dhe ka shumë mundësi të jetë brenda në Serbi.

Duke folur për Zërin e Amerikës në Budapest, Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç tha se Mlladiç do të ekstradohet sapo të gjendet, megjithëse ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse një gjë e tillë mund të ndodhë këtë vit.

“Nëse do ta dija përgjigjen e kësaj pyetjeje, ai nuk do të kishte qenë në arrati. Por, ajo që mund të them për sa i përket bashkëpunimit me Hagën, është se qeveria e Serbisë do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është e mundur. Dhe këtë e kemi bërë edhe deri tani.”

Ministri Jeremiç e pranoi se bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës është kusht kryesor për realizimin e ambicies së Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Mendoj se ky është opinioni i gjerë për mënyrën si janë gjërat tani në Serbi. Dhe shpresoj që kjo çështje të mos jetë më pengesë për procesin strategjik të integrimit të Ballkanit në familjen e vendeve evropiane.”

Por në Serbi duket se mendimet janë nga më të ndryshmet për sa i përket gjyqit të Karaxhiçit dhe kërkimit të vazhdueshëm për Ratko Mlladiç. Ndërsa disa serbë e shohin atë si gjyq politik nga një gjykatë pro-perëndimore dhe politike, të tjerët e shohin si rrugën më të mirë që Serbia të ecë përpara pas disa vitesh izolimi. //bsa//

XS
SM
MD
LG