Lidhje

Karzai, Abdullah: E ardhmja e vendit të vendoset në kutitë e votimit


Presidenti i Afganistanit dhe rivali i tij kryesor në zgjedhje thanë se e ardhmja politike e vendit duhet të vendoset në kutitë e votimit, jo përmes formimit të koalicioneve qeveritare. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Majkëll Boumen, rivali kryesor i presidentit Hamid Karzai vazhdon të shprehë shqetësime mbi manipulimet e zgjedhjeve që kanë përfshirë raundin e parë të zgjedhjeve në vend të mbajtur në muajin gusht.

Personeli i fushatës elektorale të presidentit Karzai tha se një raund i dytë i zgjedhjeve është i pashmangshëm dhe e vetmja mënyrë kushtetuese për të krijuar një qeveri të re. Gjatë një programi dje në kanalin televiziv Foks News, ish ministri i jashtëm Abdullah Abdullah gjithashtu e hodhi poshtë mundësinë e një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit mes të tij dhe zotit Karzai.

"Nuk do ta shqyrtoja mundësinë e ndarjes së pushtetit sepse unë jam i gatshëm të kandidoj për balotazhin."

Por zoti Abdullah shtoi se duhet marrë hapa për të siguruar zgjedhje të drejta muajin tjetër.

"Unë po punoj me komunitetin ndëkombëtar mbi disa kushte të vendosura të cilat duhet respektuar. Nëse nuk respektojmë reformën elektorale, ne nuk do të kemi proces transparent dhe të besueshëm. Dhe kjo do ta bënte më të vështirë t’i bindnim njerëzit për të marrë pjesë në zgjedhje."

Ish ministri i jashtëm pranoi se disa nga mbështetësit e tij janë inkurajuar të bojkotojnë raundin e dytë të zgjedhjeve, por tha se ai nuk dëshironte të fliste për këtë çështje dhe të rrezikonte cënimin e energjisë së fushatës elektorale.

Besueshmëria e udhëheqjes afgane ka rëndësi kritike për administratën e presidentit Obama, e cila tani po angazhohet në rishqyrtimin e strategjisë amerikane në Afganistan. Komandanti i forcave amerikane në Afganistan, gjenerali Stenli Mekristël, ka inkurajuar rritjen e nivelit të trupave për luftuar militantët dhe për ndihmuar në stabilizimin e vendit.

Ky rekomandim gëzon mbështetjen e senatorit republikan nga Arizona. Xhon Kajl, foli gjithashtu dje në kanalin Fox News.

"Qëllimi i një politike kundër-kryengritësve është që forcat amerikane dhe ato të NATOs të jenë në gjendje të ndihmojnë në mbrojtjen e popullatës afgane. Prania jonë atje do të ndihmonte në fuqizimin e qeverisë në mënyrë që ajo të bashkëpunojë me ne dhe të na ndihmojë në këtë përpjekje. Për të gjitha këto arsye, unë mendoj se vënia në jetë e rekomandimeve të gjeneralit Mekristël është e logjikshme."

Por disa ligjvënës demokratë pohojnë se mënyra afatgjatë për të mposhtur kryengritjen në Afganistan nuk është dërgimi i më shumë trupave të huaja atje, por stërvitja më e shpejtë e forcave afgane të sigurisë. Karl Levin është kryetar i komisionit për forcat e armatosura në senat.

"Unë mendoj se plani kundër kryengritësve është mënyra e duhur për të zgjidhur këtë çështje. Për ta bërë më të efektshme këtë, unë besoj se duhet një ushtri më e madhe afgane, më e shpejtë, dhe e pajisur më mirë."

Presidenti Barak Obama ka përsëritur shumë herë se Shtetet e Bashkuar nuk duhet ta humbin konfliktin në Afganistan. Ish nënpresidenti amerikan Dik Çeni kohët e fundit e ka akuzuar presidentin Obama për pavendosmëri në përgjigjen ndaj sfidave në Afganistan. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se presidenti ka një detyrim të qartë për të shqyrtuar efikasitetin e strategjisë amerikane para se të vendosë trupat amerikane në rrëzik. //bsa//

XS
SM
MD
LG