Lidhje

EBU i shqetësuar për "presionet" ndaj RTK-së


Unioni Europian i Transmetimeve thotë se është mjaft i shqetësuar për presionin politik dhe financiar që sipas kësaj organizate po bëhet mbi Radiotelevizionin publik të Kosovës, RTK.

Në një letër dërguar Kryeministrit Hashim Thaçi, Drejtori i Përgjithshëm i Unionit Europian të Transmetimeve, Zhan Revejon, thotë se qeveria e Kosovës po i bën presion RTK-së për ta shndërruar atë në një radiotelevizion shtetëror që nuk e kritikon qeverinë.

Në letër thuhet se RTK-ja u krijua 10 vjet më parë nga Unioni Europian i Transmetimeve si një stacion publik i pavarur dhe i balancuar. Presioni i qeverisë ndaj RTK-së, thuhet në letër, nuk është në të mirë as të qytetarëve të Kosovës dhe as të synimeve të qeverisë për njohje të mëtejshme të shtetit të ri.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, thotë letra, filloi një proces i pandalur ndërhyrjesh politike dhe ekonomike që çoi në dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

Unioni Europian i Transmetimeve nuk është i vetëm në kritikat e këtyre hapave të qeverisë Thaçi, thuhet në letër.

Letra i bën thirrje qeverisë ta rishikojë presionin ndaj RTK-së, të rivendosë pavarësinë e saj dhe të garantojë fondet e mjaftueshme për të.

Unioni Europian i Transmetimeve është shoqata më e madhe në botë e radiotelevizioneve që synon bashkëpunimin dhe shkëmbimet mes tyre. //ii

XS
SM
MD
LG