Lidhje

Departamenti i Shtetit komenton mbi liritë fetare


Në një raport të përvitshëm të Departamentit amerikan të Shtetit për lirinë e fesë kritikohen përpjekjet që bëhen në disa vende për kufizimin e lirisë së fjalës në emër të luftës për mos cënimin e fesë. Organizata e Konferencës Islamike po përpiqet t’i imponojë klauzola të tilla edhe në organizmat e OKB-së. Në raport flitet gjithashtu për çështje të lirisë së fesë në çdo vend veçazi, duke përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.

Raporti i Departamentit të Shtetit shpreh keqardhje për veprimet të cilat manifestojnë mungesë respekti ndaj traditave fetare, përfshirë fenë islame.

Por aty thuhet se masat në shkallë të gjerë kundër cënimit të fesë që kërkohen nga Konferenca Islamike do të ndikonin në kufizimin e debateve për çështjet fetare. Përparësi, thotë raporti, duhet t’i jepej mbrojtjes nga qeveria si të lirive fetare ashtu edhe të lirisë së fjalës.

Këto janë deklaratat më të hapura që kanë bërë deri tani Shtetet e Bashkuara ndaj përpjekjeve të Konferencës Islamike që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut të miratojnë rezoluta kundër cënimit të fesë.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton thotë se Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të jenë kundër diskriminimeve dhe përndjekjeve me bazë fetare por nuk janë aspak dakord me ata që përpiqen t’i zgjidhin probleme të tilla duke kufizuar lirinë e fjalës.

"Ilaçi më i mirë kundër intolerancës nuk është ndalimi dhe ndëshkimi i fjalëve që fyejnë fenë por masat e fuqishme ligjore kundër diskriminimit dhe krimeve të urrejtjes, një qendrim aktiv i qeverive për t’u shtrirë dorën grupeve fetare të pakicës si dhe një mbrojtje e fuqishme e lirisë dhe e shprehjes fetare.”


Raporti i cili i kërkohet Departamentit të Shtetit me ligj nga Kongresi, mbulon 189 vende dhe territore.

Aty kritikohet Irani për krijimin e një atmosfere kërcënuese për thuajse të gjitha grupet fetare jo-shiite.

Raporti thotë gjithashtu se në Korenë e Veriut nuk ka patur asnjë ndryshim përsa i përket nivelit të ulët të respektit për lirinë fetare.

Gjithashtu sipas raportit, Kina, vend që Presidenti Obama do të vizitojë muajin e ardhshëm, e lidh shprehjen fetare me çështjen e autonomisë dhe pavarësisë.

Departamenti i Shtetit shpreson të nxjerrë deri në fund të vitit një listë të vendeve ku liria fetare përbën shqetësim të veçantë, duke i bërë këto vende objekt sanksionesh të mundëshme amerikane.

Lidhur me Shqipërinë, raporti i Departamentit të Shtetit thotë se qeveria e respekton në praktikë lirinë e besimit fetar. Shkollat publike janë laike dhe ligji ndalon indoktrinimin ideologjik dhe fetar. Nuk ka ligje që ndalojnë veshjen apo simbolet fetare. Shkollat janë ato që gëzojnë të drejtën për të caktuar standartet për veshjen, e cila në disa raste përfshinte kufizime për mbajtjen e simboleve fetare në publik.

Një çështje tjetër për Shqipërinë është edhe kthimi apo dëmshpërblimi i pasurive të konfiskuara nga ish regjimi komunist. Qeveria, thotë raporti vazhdon ta trajtojë këtë çështje me të katër besimet tradicionale të vendit.

Përsa i përket Kosovës, në raport thuhet se feja nuk është një faktor i rendësishëm në jetën publike. Retorika fetare në Kosovë, theksohet aty, ka qenë krejtësisht e përjashtuar nga ligjeratat publike të komuniteteve myslimane. Udhëheqësit myslimanë, ndërkohë, kanë shfaqur pakënaqësi rreth mungesës së një statusi ligjor për fenë e tyre. //ii

XS
SM
MD
LG