Lidhje

Samiti i BE-së në Bruksel përballë çështjeve të vështira



Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë mbledhur në Bruksel për të diskutuar mbi disa çështje të vështira, ku përfshihen një marrëveshje mbi ndryshimet e klimës dhe përpjekjet për të kapërcyer kundërshtimet e Çekisë ndaj një traktati për reformimin e Bashkimit Evropian. Republika Çeke është i vetmi vend që nuk e ka nënshkruar traktatin e Lisbonës, i cili thjeshton operacionet e Bashkimit dhe krijon një post të ri të presidentit të BE-së.

Europa është gati për të kaluar nëpër ndryshime strukturore dramatike pas vite diskutimesh dhe pengesash.

Pengesa e fundit për marrëveshjen mbi reformën, e njohur si Traktati i Libonës, do të eliminohet kur republika Çeke të ratifikojë dokumentin, i cili sipas vëzhguesve pritet të ndodhë brenda pak javësh.

Mes reformave të tjera, traktati parashikon një post të ri të fuqishëm të presidentit të BE-së dhe kjo do të jetë njëra prej temave të samitit në Bruksel.

Dy nga konkurrentët më të mundshëm për presidencën e BE-së janë ish kryeministri britanik Toni Bler dhe kryeministri i Luksemburgut,

Zhan Klod Zhynker. Një mundësi tjetër është ish presidentja e Irlandës, Meri Robinson.

Marko Inçerti – Qendra për Studime mbi Politikën Europiane

“Zoti Bler do të ishte personifikim i një presidenti më të fuqishëm ndërsa zoti Zhynker do të kishte profilin e një personaliteti që është më tepër i prirur drejt konsensusit, i cili punon në prapaskenë për arritjen e zgjidhjes por me më pak ndikim diplomatik. Megjithatë, siç ndodh shpesh nëpër samite, me siguri do të dalin edhe emra që do të propozohen në momentin e fundit.”

Udhëheqësit e BE-së do të përballen edhe me një çështje tjetër mjaft polemike: si të ndajnë koston e shpenzimeve për vendet në zhvillim që ato t’i përshtaten masave për të luftuar ndryshimet e klimës.

“Ekzistojnë ende mosmarrëveshje dhe si zakonisht fjala është për para, pra se çfarë janë gati të pranojnë vendet e ndryshme lidhur me pakësimin e çlirimit të gazeve që shkaktojnë efektin serrë dhe se sa janë ato gati të ndihmojnë vendet në zhvillim në këtë aspekt.”

Komisioni Europian rekomandon që BE-ja të paguajë më tepër se 22 miliard dollarë për vendet e varfëra ndërsa organizatat e ndihmave kërkojnë të paguhet më tepër se kaq.

Vende më pak të pasura si Polonia kërkojnë që vende më të pasura si Gjermania, të paguajnë më shumë. //rd//

XS
SM
MD
LG