Lidhje

Seancë informimi në Kongres mbi zgjedhjet vendore në Kosovë


Pak më shumë se 2 javë na ndajnë nga zgjedhjet vendore në Kosovë. Këto janë zgjedhjet e para që organizohen që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe shihen në shkallë të gjerë si provë e institucioneve dhe proceseve demokratike në shtetin e ri. Në një seancë informimi të organizuar dje nga Nënkomisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Hemisferën Perëndimore u veçuan disa nga sfidat kryesore me të cilat përballet procesi.


Si edhe në të kaluarën, në këtë proces zgjedhor, Kosova ka mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara. Por, në zgjedhjet e para që kur u shpall pavarësia, ka ardhur momenti që Kosova të provojë legjitimitetin e demokracisë në shtetin e ri, thotë ligjvënësi Eliot Engel:

"Perceptimi i Kosovës në komunitetin ndërkombëtar do të ndryshojë nga këto zgjedhje, qoftë pozitivisht ose negativisht. Unë vazhdoj takime nëpër botë dhe Uashington, dhe kudo që shkoj u bën thirrje krerëve të shteteve të njohin pavarësinë e Kosovës. Prej 21 vjetësh jam angazhuar në këtë kryqëzatë për pavarësinë e Kosovës. Tani që pavarësia është bërë realitet duam që sa më shumë vende ta njohin."

Zhvillimi i këtyre zgjedhjeve do të diktojë në një farë mënyre edhe ritmet e mëtejshme të njohjes së këtij shteti, thekson ligjvënësi Engel.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Stuard Xhons shprehet se ecuria e deritanishme flet për një proces profesionalist dhe brenda standarteve:

"Jemi shumë entuziastë nga ritmet e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Mendojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po e zhvillon detyrën e tij me profesionalizëm, ata po marrim mbështetje teknike aty ku u nevojitet dhe duket se po ecin në rrugën e duhur për këto zgjedhje."

Ashtu si edhe në zgjedhjet e mëparshme, pjesëmarrja e pakicave në proces dhe në veçanti e komunitetit serb mbetet një ndër sfidat kryesore për autoritet, por ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, me ri-organizimin e distrikteve komunat e reja me shumica serbe të krijuara në bazë të planit Ahtisari kanë treguar një angazhim të konsiderueshëm. Deri tani janë regjistruar 20 subjekte politike të pakicës serbe për pjesëmarrje në këto zgjedhje. Megjithatë, gjendja në veri të Kosovës, ku presioni i Beogradit vazhdon të jetë edhe më i madh, mbetet problematike. Kjo është shprehje e një mekanizmi politik që i ka rënë vlera dhe i ka kaluar koha, thotë ligjvënësi Engel:

"Republika e Kosovës është fakt i kryer. Çdokush që mendon se me pjesëmarrjen e tij në zgjedhje tregon njohjen e Kosovës, ka të drejtë. Por nëse mendojnë se duke mos marrë pjesë disesi pavarësia e Kosovës do të zhbëhet, dua t'ua bëj të qartë se kjo s'do të ndodhë kurrë. Kosova është vend i pavarur dhe kjo s'do të ndryshojë."

Por nuk është thjesht pjesëmarrja e pakicës që përbën problem. Sipas ekspertit të zgjedhjeve Mathew Frumin, një problem madhor janë listat e zgjedhësve, të cilat përfshijnë një përqindje të madhe emrash të votuesve që ose kanë vdekur, ose janë në emigracion. Ky fakt mbart rrezikun që pjesëmarrja në zgjedhje të duket më e ulët se ç'është në realitet duke vënë në pikëpyetje besimin e popullatës tek procesi zgjedhor.

"Autoritetet e Kosovës duhet të nxisin pjesëmarrjen në votime nga e gjithë popullata e Kosovës," thotë zyrtari i Departamentit të Shtetit.

Në këto javë që kanë mbetur, thekson zoti Xhouns u takon autoriteteve të Kosovës të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të mobilizuar popullatën për pjesëmarrje në votime. 15 nëntori, shton Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Stuart Xhons, është momenti i provës për shtetin e ri të Kosovës dhe për proceset demokratike që kanë marrë udhë në këtë vend. //ad//
XS
SM
MD
LG