Lidhje

OBSH: Vaksina kundër gripit të derrit është e sigurt


Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se njerëzit nuk duhet të shqetësohen për sigurinë e vaksinës së gripit pandemik H1N1. Ajo thotë se një takim i sapo përfunduar me ekspertë të pavarur nga e gjithë bota tregon se vaksina e gripit të derrit mund të shkaktojë pak ose aspak reaksion tek të vaksinuarit.

Grupi Strategjik Këshillimor i Ekspertëve të Imunizimit këshillon Organizatën Botërore të Shëndetësisë mbi vaksinat dhe politikat e imunizimit. Ky grup ka zhvilluar disa takime gjatë ditëve të fundit dhe ka dalë me disa rekomandime mbi përdorimin e vaksinës së gripit të derrit H1N1.

Drejtoresha e Iniciativës për Kërkimet e Vaksinave në OBSH, Mari Pol Kini thotë se Grupi Strategjik Këshillimor i Ekspertëve të Imunizimit i ka bazuar rekomandimet e veta në shqyrtimin e kujdeshëm të testimeve klinike që po zhvillohen për të parë efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës dhe vendimet rregullatore kombëtare.

“Grupi Strategjik Këshillimor i Ekspertëve të Imunizimit ka rekomanduar një dozë vaksine për të gjithë njerëzit mbi moshën 6 muajsh. Ai ka arritur gjithashtu në përfundimin se vaksina është e sigurt dhe mund të përdoret për gratë shtatzëna qoftë imunizimi me virus të vdekur apo me virus të dobësuar. Ata kanë rekomanduar gjithashtu se vaksina sezonale dhe ajo e gripit të derrit mund të bëhen në të njëjtën kohë.”

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ka marrë njoftime për më shumë se 440 mijë raste të konfirmuara të gripit të derrit H1N1 dhe mbi pesë mijë 700 vdekje. Ajo thotë se në të gjithë botën, adoleshentët dhe të rinjtë vazhdojnë të përbëjnë shumicën e rasteve, ndërsa të shtruarit në spital janë kryesisht fëmijët e vegjël.

OBSH-ja thotë se, gjithsej, 7 deri në 10 përqind të pacientëve të shtruar në spital janë gra gjatë tremujorit të dytë apo të tretë të shtatzanisë. Ajo thotë se gratë shtatzëna kanë 10 herë më tepër shanse të kenë nevojë për reanimacion krahasuar me popullsinë e përgjithshme.

Doktor Kini thotë se ka shumë informacione të gabuara mbi sigurinë e vaksinës, dhe kryesisht kur bëhet fjalë për gratë shtatzëna. Ajo thotë se Grupi Strategjik Këshillimor i Ekspertëve të Imunizimit nuk ka të njëjtin mendim.

“Grupi Strategjik Këshillimor i Ekspertëve të Imunizimit thotë se duke marrë parasysh rëndësinë e vaksinimit të grave shtatzëna, të cilat janë shumë më të rrezikuara të kenë pasoja nëse infektohen me virusin e gripit të derrit, veçanërisht gjatë tremujorit të dytë apo të tretë të shtatzanisë, këto gra mund të vaksinohen me vaksinat tashmë të liçensuara nga një autoritet rregullator funksional, nëse ky autoritet nuk ka bërë ndonjë përjashtim për ndonjë produkt të caktuar.”

Ndërkohë, doktor Kini thotë se OBSH-ja deri tani ka siguruar 156 milion doza vaksine të gripit H1N1 dhe shpreson të arrijë në 200 milion doza së shpejti. Ajo thotë se 16 vende në zhvillim do të jenë të parët që do të marrin donacione të vaksinave nga fundi i nëntorit apo fillimi i dhjetorit.

Ajo thotë se pritet që vendet në zhvillim t’i përdorin furnizimet e tyre të kufizuara për të imunizuar fillimisht punonjësit e shëndetësisë. //bsa//

XS
SM
MD
LG