Lidhje

SHBA: Fëmijë e të rritur në festën e Hallouinit


Çdo vit, ditën e fundit të tetorit, fëmijët në Shtetet e Bashkuara vishen me kostumet më krijuese për të festuar Hallouinin. Ngjyrat që simbolizojnë Hallounin janë kryesisht portokallia dhe e zeza. Megjithëse kryesisht janë fëmijët që e presin më me padurim këtë festë, edhe te rriturit organizojnë festa dhe parada të ngjashme me ato të karnavaleve.

Por kjo ngjarje do të thotë edhe fitime të mëdha për disa biznese.

Në fund të tetorit, vizitorët që vijnë në Amerikë mund të vënë re diçka të pazakontë. Nëse shtëpitë e zakonshme nuk duken aq mirëpritëse sa ç'duhet, është thjesht një pjesë e dukurisë në rritje në Amerikë: festimi i Hallouinit. Më 31 tetor fëmijët në gjithë vendin veshin kostume personazhesh dhe shkojnë shtëpi më shtëpi duke kërkuar karamele.

Festimet e kanë origjinën tek ritualet keltike ku njerëzit përpiqen të largojnë fantazmat. Në Shtetet e Bashkuara, festimet e para të Hallouinit janë shënuar në shtetin verior të Minesotës 1921. Popullariteti i festës po rritet. Sipas Federatës Kombëtare të Shitjeve, afro dy të tretat e amerikanëve kanë në plan të festojnë Hallouinin këtë vit.

Ellen Dejvis, zëdhënësja e Federatës thotë se kjo ndodh sepse njerëzit nuk e shohin më këtë festë si një ditë të vetme.

"Është një muaj i tërë apo edhe një sezon i tërë dhe si rezultat gjithnjë e më shumë njerëz po merren me aktivitetet e Hallouinit dhe po shohim gjithnjë e më shumë biznese si parqet e argëtimit dhe pemishte që mbajnë aktivitete rreth temës së Hallouinit".

Ferma Koks në Virxhinia është një prej atyre vendeve. Qindra fëmijë shkojnë në fermë çdo ditë gjatë vjeshtës, organizojnë lojra me temë Hallouini dhe zgjedhin një kungull të përkryer.

Interesi në rritje tek kjo festë nuk ka ngjallur frikë tek bizneset amerikane. Konsumatorët parashikoheshin të shpenzonin rreth 5 miliardë dollarë për Hallouinin këtë vit. Kjo shumë do të shpenzohej kryesisht për kostume, karamele dhe zbukurime.

Edhe Kopshti Zoologjik mori pjesë në festime. Zëdhënësi Met Olear thotë se Kopshti Zoologjik ka shitur mijëra bileta në ngjarjen e tyre të përvitshme të Hallouinit ku fëmijët vishen me kostume, por nuk janë të vetmit që marrin të mira.

"Ne u japin kunguj elefantëve, hipopotamëve dhe disa prej kafshëve të tjera dhe edhe majmunëve u japim diçka".

Por gjëja më e rëndësishme për Hallouinin është se të gjithë argëtohen duke u frikësuar nga pak. //mm//

XS
SM
MD
LG