Lidhje

Klinton: Gjatë gjithë jetës sime do të mbështes Kosovën


Ish presidenti amerikan Bill Klinton u zotua sot të mbështesë Kosovën gjatë tërë jetës së tij, duke bërë thirrje për tejkalimin e dallimeve dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët për të gjithë qytetarët e Kosovës. Presidenti Klinton i bëri këto komente gjatë vizitës së tij disaorëshe në Kosovë ku mori pjesë në përurimin e shtatores së ngritur në sheshin që mban emrin në tij, në Prishtinë.

Shtatorja e derdhur në bronz, vepër e skulptorit Izeir Mustafa, është tre metra e lartë dhe peshon rreth 900 kilogram. Shtatorja e cila është vendosur javë më parë, nuk ishte përuruar, në pritje të vizitës së ish presidentit Klinton, i cili në Kosovë çmohet si njeriu më meritor për lirinë e vendit.

Autoritetet thanë se vizita është me rëndësi historike duke i shprehur mirënjohjen e thellë presidentit Klinton për tërë angazhimin e tij rreth Kosovës dhe rolin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës, demokracinë, paqen e qëndrueshmërinë në rajon.

Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara Bill Klinton, sot vizitoi për te tretën herë Kosovën gjatë këtyre dhjete viteve të pasluftës. Herën e parë ai qëndroi në Kosovë në nëntor të vitit 1999 ndërsa ishte ende president dhe mbajti një fjalim në Ferizaj, me ç’rast bëri thirrje për tejkalimin e së kaluarës dhe ndërtimin e paqes në vend.

Në korrik të vitit 2003, në vizitën e tij të dytë në Kosovë, presidenti Klinton u nderua me çmimin Doktor nderi i Universitetit të Prishtinës.


XS
SM
MD
LG