Lidhje

Ish presidenti Klinton siguron Kosovën për mbështetjen amerikane


Ish presidenti amerikan Bill Klinton u zotua sot të mbështesë Kosovën gjatë tërë jetës së tij, duke bërë thirrje për tejkalimin e dallimeve dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai u përshëndet nga mijëra qytetarë të Kosovës që për orë të tëra pritën në të ftohtë, çastin e përurimit të shtatores së ngritur në sheshin që mban emrin e ish presidentit Klinton, në njërën nga rrugët kryesore të Prishtinës.

"Nuk kam pritur kurrë që diku, dikush të bëjë një statujë të tillë të madhe për mua" tha presidenti Clinton, duke i siguruar udhëheqësit e Kosovës dhe qytetarët e saj për mbështetjen amerikane...

"Dua t'ju siguroj se presidenti Obama, sekretarja e shtetit Hillary Clinton dhe i gjithë populli amerikan janë me ju sot dhe do të jenë në të ardhmen tuaj", u tha presidenti Clinton mijëra qytetarëve të mbledhur në sheshin që mban emrin e tij.

Gjatë një fjalimi në Parlamentin e vendit, presidenti Clinton bëri thirrje për punë të përbashkët të të gjithëve në Kosovë për një të ardhme më të mirë. Ai i nxiti deputetët që të punojnë për faljen dhe tejkalimin e pasojave të dhunës së të kaluarës.

"Tërë sprova për botën bashkëkohore është nëse do të vendosim që njerëzimi është më i rëndësishëm sesa dallimet tona", tha presidenti Clinton duke kujtuar të kaluarën jo të largët të Kosovës.

Ai tha se vendi duhet të jetë krenar për atë që ka arritur gjatë këtyre viteve, duke ngritur institucionet demokratike dhe duke ndërmarrë hapa për ta bërë të qartë se jo toleranca që dëboi shumë njerëz nga shtëpitë e tyre jo fort moti, nuk do të ketë vend në Kosovën e re. "Unë mund t'ju nxisë juve që të vazhdoni të përmirësoni dhe zgjeroni përpjekjet për të siguruar se serbet dhe pakicat tjera janë të integruara dhe të mbrojtura, dhe të kuptoni se keni nevojë për njëri tjetrin", tha presidenti Clinton.

Vizita e sotme e presidentit Clinton është e para që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Ai shfaqi bindjen se më shumë njohje për Kosovën do të ndodhin së shpejti dhe vendi do të jetë pjesë e familjes euroatlantike. Ai u tha qytetarëve se e dëshiron vetëm një të ardhme më të mirë për ta dhe "do të bëjë gjithë çfarë mundet për t'i mbështetur deri në fund të jetës".

Reagime për vizitën e presidentit Clinton

Vizita e sotme e ish presidentit amerikan Bill Clinton u vlerësua me rëndësi historike dhe siç u tha, vizitë e heroit të Kosovës. Udhëheqësit më të lartë të vendit, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi e vlerësuan ngritjen e shtatores së tij si një shenjë mirënjohjeje ndaj tërë asaj që presidenti Clinton ka bërë për Kosovën dhe paqen e qëndrueshmërinë në rajon.

"Populli amerikan, shteti dhe Ju personalisht, i nderuari president Klinton, keni meritën e veçantë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Qytetarët e vendit tim do të jenë përherë mirënjohës dhe falënderues, për përkrahjen në të gjitha periudhat, si dhe për vendimin kapital që morët në një moment të vështirë dhe dramatik, për të ndërhyrë ushtarakisht dhe për të ndalur spastrimin etnik që po kanoste një popull të tërë dhe vrasjen e tij kolektive të planifikuar", tha presidenti Sejdiu.

"Ne kujtojmë angazhimin tuaj në kohën e luftës për liri, në kohën kur refugjatët tanë, qytetarët tanë ishin të dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe jetonin në kushte shumë të vështira. Ju i nderuari president Clinton, bashkuar botën demokratike për lirinë e Kosovës. Ju faleminderit shumë", tha kryeministri Thaci.

Shtatorja e presidentit Clinton e vendosur në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë, është tre metra e lartë dhe peshon rreth 900 kilogram. Ajo është vepër e skulptorit Izeir Mustafa, i cili thotë se kjo ishte përmbushje e një dëshire të madhe të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë dashur të shprehin mirënjohjen ndaj tij dhe Shteteve të Bashkuara. "Kjo ka qenë mund të themi, dëshirë e zjarrtë e popullatës për me e pasë Clintonin në qytetin e Prishtinës. Kështu që me disa donatorë, kemi ra në ujdi dhe kemi fillue me punue dhe ja sot ku është duke qëndruar këtu Clintoni, unë them, miku i madh në mesin e miqve", tha zoti Mustafa.

Ngritja e shtatores dhe organizimi i vizitës është mbështetur nga Shoqata Miqtë e Amerikës, kryetari i së cilës Agim Rexhepi thotë se ngjarja e sotme është e përmasave të mëdha për Kosovën. "Arritëm të kemi prezent një njeri të madh, një hero të gjallë, një president të cilin kanë lakmi ta kenë në vizitë shumë shtete të botës, presidentin Clinton. Kjo është një vizitë aq historike sa që ne nuk jemi ndoshta të vetëdijshëm se çfarë roli apo çfarë përmasash janë duke ju dhënë popullit shqiptarë, popullit të Kosovës me vizitën e tij". tha zoti Rexhepi.

Në dorën e djathtë të shtatores së presidentit Clinton është skalitur data 24 mars e vitit 1999, dita kur kishin filluar bombardimet kundër forcave serbe. Ishte ajo ditë kur presidenti Clinton shpjegoi arsyet e rolit udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në këtë fushatë.

"Sot forcat tona të armatosura u janë bashkuar aleatëve të NATO-s në sulmet ajrore kundër forcave serbe përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë…"

"Duke vepruar tash, ne ruajmë vlerat tona, mbrojmë interesat tanë dhe çojmë përpara kauzën e paqes", u kishte thënë presidenti Clinton qytetarëve amerikanë më 24 mars të vitit 1999.

Fushata 78 ditëshe e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe, dhjetë vjet më parë, i dha fund luftës gati dyvjeçare, gjatë së cilës humbën jetën mbi 10 mijë veta. Nëntë vjet pas luftës Kosova shpalli pavarësinë e saj të kundërshtuar ashpër nga Beogradi. Pavarësinë e Kosovës të cilën deri tash e njohën 62 vende të botës, të parat e njohën Shtetet e Bashkuara.

Shqiptarët e Kosovës janë të bindur se as liria dhe as pavarësia e saj nuk do të ishin të mundura pa Shtetet e Bashkuara. Shumë syresh kishin dalë të presin presidentin Clinton, prej tyre kishte të tillë që në qendër të qyteti kishin dalë që në orët e hershme të mëngjesit, madje pati edhe të tillë që kishin ardhur nga veriu I Shqipërisë…

"Kam ardhur për të pritë presidentin e Shteteve të Bashkuara Bill Clinton i cili neve na u ka gjetë në ditët më të vështira dhe neve ja dimë për nder që na njofti zemra e tij që kemi qenë të vuajtur dhe na ndihmoi gjatë kohës së luftës, në ditët më të vështira, prandaj për jetë e mot neve nuk do të harrojmë", thotë Qazimi nga Tropoja.

"Jam adhurues dhe dashamir i madh me krejt familjen time i presidentit Clinton dhe e festoj ditëlindjen e tij sikurse timen sepse e kemi vetëm një ditë ndërmjet. Atë që ka bërë ky burrë për Kosovën dhe për shqiptarinë, ne ia kemi borxh tërë jetën", thotë Ramadani nga Mitrovica.

"Ky na ka shpëtue neve dhe për atë jam i djegun për të. Kam ardhë në ora gjashtë. Rroftë Kosova, Shtetet e Bashkuara dhe Clintoni", thotë një burrë rreth të 60-tave.

Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara Bill Clinton, sot viziton për te tretën herë Kosovën gjatë këtyre dhjete viteve të pasluftës. Herën e parë ai qëndroi në Kosovë në nëntor të vitit 1999 derisa ishte ende president dhe mbajti një fjalim në Ferizaj, me ç'rast bëri thirrje për tejkalimin e së kaluarës dhe ndërtimin e paqes në vend. Në korrik të vitit 2003 në vizitën e tij të dytë në Kosovë, presidenti Clinton u nderua me çmimin Doktor nderi i Universitetit të Prishtinës.
XS
SM
MD
LG