Lidhje

Tërheqja e Abdullah, pa ndikim në rishikimin e strategjisë


Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se Abdullah Abdullah mund të jetë tërhequr nga balotazhi presidencial në Afganistan për arsye politike. Ata thonë se vendimi i tij mund të mos ketë ndonjë ndikim të madh në rishikimin e strategjisë së luftës në Afganistan nga presidenti Obama.

Gjatë njoftimit zyrtar, Abdullah Abdullah foli për manipulimet e raundit të parë të votimeve, dhe u ankua se kreu i komisionit elektoral afgan ishte mbajtur në atë post për balotazhin nga presidenti Hamid Karzai.

Këshilltari kryesor i presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë, Dejvid Akselrod, nuk i kushton rëndësi ndikimit që mund të ketë vendimi i zotit Abdullah në rishikimin e strategjisë në Afganistan nga administrata.

Zoti Akselrod thekson se balotazhi do të mbahet sipas kushteve të kushtetutës afgane. Gjatë programit Face the Nation në kanalin televiziv CBS, ai vuri në dukje se zoti Abdullah u tërhoq në një kohë që anketat tregonin se kandidati opozitar kishte të ngjarë të humbiste.

“Zoti Abdullah ka ushtruar të drejtën e tij si kandidat për t’u tërhequr. Ai ka marrë një vendim politik për t’u tërhequr nga kjo garë dhe kjo nuk e ndryshon situatën.”

Në programin This Week të kanalit televiziv ABC, këshilltarja e Shtëpisë së bardhë Valeri Xheret përsëriti diçka të ngjashme, duke thënë se tërheqja e zotit Abdullah nuk do t’i ndërlikonte përpjekjet e presidentit Obama për të rishikuar strategjinë e tij të luftës.

Megjithatë ajo refuzoi të thoshte se kur do të shpallte presidenti njoftimin nëse do ta rrisë numrin e trupave. Ajo vetëm tha se tani po zhvillohet një proces serioz rishqyrtimi.

“Ai po përpiqet të gjejë një strategji që do të garantojë sigurinë e vendit tonë. Dhe afati kohor për këtë varet nga presidenti. Ai do ta marrë vendimin kur t’i ketë të gjitha faktet që i nevojiten.”

Shumë republikanë po i bëjnë thirrje presidentit të miratojë shtimin e trupave në Afganistan. Dje, kreu i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve Xhon Boner u përpoq ta argumentonte mendimin republikan gjatë një interviste në rrjetin televiziv CNN, duke thënë se ishte i shqetësuar se nëse shtimi i trupave do të vonohej, kjo do të rrezikonte më tepër trupat që tashmë ndodhen në terren.

Edhe senatori Xhozef Liberman, kandidat i pavarur i cili zakonisht mbështet demokratët, u shfaq në disa intervista televizive. Ai i bëri thirrje presidentit që të shohë përtej konfuzionit politik që është tani në Afganistan.

“Mendoj se është koha që të reshtim së kritikuari presidentin Hamid Karzai dhe të fillojmë ta përgatisim atë dhe qeverinë e tij që të bëhen si duhet, sepse ata nuk janë armiku. Armiku është Talebani.”

Zoti Liberman tha gjatë programit Face the Nation se trupat amerikane në rajon kishin nevojë për ndihmë dhe bëri thirrje që presidenti të dërgojë përforcime sa më shpejt që të jetë e mundur. //bsa//

XS
SM
MD
LG