Lidhje

Shqipëri, sulmohet gazetari Mero Baze nga biznesmeni Rezar Taçi


Mero Baze, një nga emrat e njohur të shtypit shqiptar ka mbetur mbrëmë viktimë e një sulmi të dhunshëm ndaj tij nga sipërmarrësi Rezar Taçi. Baze ishte në shoqërinë e dy gazetarëve të tjerë, Andi Bushati dhe Arban Hasani, në një lokal në qendër të Tiranës kur pranë tij është afruar Taçi i cili pas një lumi ofendimesh ka nisur të qëllojë mbi botuesin e Gazetës Tema. Me të janë bashkuar edhe disa nga bodigardët e tij të cilët gjithashtu kanë ushtruar dhunë mbi Bazen. Skena është treguar për Zërin e Amerikës nga kolegët të cilët ndodheshin me Bazen në ato momente.

Botuesi i Gazetës Tema është dërguar në spital me shenja dhune në pjesë të ndryshme të trupit ku i është nënshtruar kontrollit të mjekëve duke marë edhe kurat e para. Si opinionisti dhe drejtuesi i emisionit televiziv "Zonë e Ndaluar" Andi Bushati ashtu dhe drejtuesi i televizionit "Vizion Plus" Arban Hasani janë shprehur për një akt barabar që sipas tyre është kryer ndaj Bazes.

Botuesi i Temës është autor i dhjetra shkrimeve por edhe i disa emisioneve që kanë patur në qendër pikërisht praktikat e ndjekura për privatizimin e ndërmarrjes më të madhe të rafinimit dhe tregtimit të naftës në Shqipëri ARMO, e cila u ble një vit më parë nga biznesmeni Rezar Taçi, ndonëse fillimisht ky privatizim u shpall sikur ishte kryer nga një firmë amerikane. Në artikujt e tij, Mero Baze ka folur për një aferë korruptive në këtë privatizim si dhe ka denoncur ato që i ka cilësuar si lidhje të interesit financiar mes sipërmarrësit Taçi dhe kryeministrit Berisha. Këto fakte duket të kenë qenë shkaqet e sulmit të dhunshëm të sipërmarrësit ndaj gazetarit Baze.

Deri në orët e para të mëngjesit nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar nga policia për ngjarjen, ndonëse është folur për arrestimin e dy truprojeve të sipërmarrëst Taçi. Kolegët e Mero Bazes të cilët ishin me të në vendngjarje kanë bërë deponimin e tyre në polici, ndërsa dy oficerë kanë marrë në spital edhe dëshminë e vetë Bazes.

Rezar Taçi ka qenë një ndër emrat e njohur në tregun e karburanteve në Shqipëri. Ai u përmend në vitin 2005 nga zoti Berisha përpara fitores së zgjedhjeve të qershorit, si një ndër kontrabandistët kryesor të karburanteve në Shqipëri. Por në vitin 2008, zoti Taçi do të jetë pas gjithë operacionit për blerjen e kompanisë Armo, e cila fillmisht u shpall sikur i ishte besuar një kompanie amerikane. Sipërmarrësi Taçi u bë kështu zotërues i pjesës më të madhe të treguet të karburanteve dhe ndërkohë u kujdes për imazhin e kompanisë së tij duke shpenzuar sasi të mëdha në reklama në thuajse të gjitha mediat kryesore të vendit. Në korrik të këtij viti madje ai hyri në bisedime për blerjen edhe të një klubi futbolli në Itali, atë të Bolonjës, operacion nga i cili u tërhoq pa dhënë shpjegime 24 orë përpara nënshkrimit të kontratës.

Për Mero Bazen ky nuk është incidenti i parë. Në fillim të viteve 2000 makina e tij u qëllua me një plumb, në rrethana që nuk u mësuan asnjëherë. Në vitin 2005 ai goditet nga personazhe të lidhur me disa figura të njohura të partisë socialiste në Tepelenë. Në fund të vitit të shkuar, gjatë orëve të natës, makina e tij përfundon në flakë papritur dhe në rrethana gjithashtu të pasqaruara. Ndërsa në të njejtën periudhë ministria e ekonomisë anullon një kontratë të nëshkruar me të për mjediset ku ishin vendosur zyrat e gazetës Tema dhe tipografia e saj. Policia rrethoi vendin dhe që prej asaj kohe nuk e la më Bazen dhe gazetarët të hynin. Sipas Bazes, të gjitha këto veprime kanë qenë të lidhura me qëndrimin kritik që ai ka mbajtur ndaj qeverisë dhe kryeministrit Sali Berisha.

XS
SM
MD
LG