Lidhje

Shqipëri: Protestë e gazetarëve kundër dhunës


Në Tiranë, disa dhjetra gazetarë e publicistë e qytetarë u mblodhën sot në mesditë përpara kryeministrisë për të protestuar ndaj dhunës së ushtruar dy ditë më parë nga sipërmarrësi Rezart Taci ndaj botuesit të gazetës Tema Mero Baze

Protesta u zhvillua në dyert e selisë së qeverisë duke qenë se përfaqësuesit e mediave akuzojnë pushtetin se është vënë në mbrojtje të një sipërmarrësi e duke bërë për këtë përgjegjës kryeministrin Sali Berisha. Sipas organizatorëve edhe hedhja e kepucëve në drejtim të godinës qeveritare simbolizonte sipas tyre vënien e shtetit nën këmbët e një njeriu të biznesit. Folësit ne këtë protestë të shkurtër kërkuan që policia të arrestojë agresorin e vërtetë të gazetarit Mero Baze dhe jo shoqëruesit e tij, si dhe shprehën shqetësim për cënimin e lirisë së fjalës në vend.

Sipas policisë sipërmarrësi Rezart Taci është shpallur në kërkim pasi dyshohet të ketë ushtruar dhunë ndaj botuesit të gazetës Tema, Mero Baze i cili përfundoi në spital. Në formë ironie ndaj organeve të policisë shoqatat e gazetarëve kanë deklaruar se japin shpërblim 10 mijë euro për këdo që jep informacione për vendndodhjen e zotit Taci. Ky i fundit dje mohoi të ketë patur konflikt fizik me gazetarin Baze.


XS
SM
MD
LG