Lidhje

Fitoret republikane në dy shtete, një zprapsje për Obamën?


Udhëheqësit e Partisë Republikane e asaj Demokrate në Shtetet e Bashkuara nuk janë të një mendimi rreth ndikimit të zgjedhjeve të djeshme shtetërore, në të cilat republikanët korrën një numër fitoresh, përfshirë edhe dy zgjedhje për guvernatorë shtetesh. Kryetari i komitetit kombëtar republikan, Michael Steele, tha se fitorja e partisë së tij në Virxhinia ka dërguar një mesazh të qartë se votuesit janë ngopur me politikat liberale të Presidentit Barak Obama. Republikanët fituan 3 postet më të larta në Virginia, përfshirë edhe garën për guvernator. Kandidati republikan fitoi edhe garën për guvernator në shtetin e Nju Xhersit.

Fitoret e republikanëve dje në Virginia dhe Nju Xhersi përbëjnë një zbrapsje për presidentin Obama, ndërsa ai përpiqet të reformojë sistemin e kujdesit shëndetsor, të sigurojë miratimin e ligjit për ndryshimet klimatike dhe të krijojë mbështetje politike për strategjinë amerikane në luftën në Afganistan.

Këto fitore mund të jenë edhe kërcënim për demokratët në zgjedhjet për në Kongres vitin e ardhshëm, kur një e treta e senatorëve, të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe shumica e guvernatorëve kandidojnë për t’u rizgjedhur.

Në Virginia, konservatori Bob McDonnell, ish prokuror i përgjithshëm i shtetit, fitoi ndjeshëm ndaj demokratit, Kri Dids, duke u bërë kështu guvernatori i parë republikan i Virginias në 8 vjet.

“Sonte ju më keni dhënë postin e guvernatorit. Zotohem para jush se gjatë 4 vjetëve të ardhshëm do të veprojmë dhe do të arrijmë rezultate”.

Ky shtet, në të kaluarën bazë e fortë republikane, zgjodhi senatorë demokratë në 2006 dhe 2008.

Vitin e kaluar, zoti Obama ishte kandidati i parë demokrat që fitoi në zgjedhjet presidenciale që prej vitit 1964.

Rivali demokrat, Dids tha se megjithë humbjen e djeshme, fushata dhe përkrahësit e tij kanë detyrimin për të punuar në ndihmë të popullit të Virginias.

“Ne do të punojmë për të krijuar mundësi, begati dhe shpresë në çdo kënd të shtetit, ne do të punojmë për krijimin e vendeve të punës, që do t’i japin shtytje zhvillimit ekonomik”, u tha ai përkrahësve të tij.

Në shtetin tradicionalisht demokrat të Nju Xhersit, republikani Kris Kristi, ish prokuror federal, i cili luftoi korrupsionin, fitoi ndaj guvernatorit aktual, miliarderin Jon Corzine, ish ekzekutiv i Uoll Stritit.

Në të dy shtetet, votuesit e pavarur, të cilët ishin shumë të rëndësishëm për fitoren e presidentit Obama vitin e kaluar, votuan dje krysisht për kandidatin republikan.

Shumë kohë para zgjedhjeve të djeshme, Shtëpia e Bardhë kishte hedhur poshtë sugjerimet se zgjedhjet për guvernator do të ishin referendum për politikat e zotit Obama.

Anketat e opinionit me votuesit treguan se mbi 40 për qind e votuesve në Virginia thanë se pikpamja e tyre ndaj presidetit ishte faktor në votën e tyre.

Ky faktor ishte i pranishëm edhe në zgjedhjet e Nju Xhersit, por jo aq i theksuar sa në Virginia. Presidenti Obama bëri fushatë për kandidatët demokratë në të dy shtetet, por nuk arriti të ndihmonte në fitoren e tyre. //ii

XS
SM
MD
LG