Lidhje

Obama: Amerika në zi për 13 viktimat e bazës ushtarake Fort Hud


Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama thotë se i gjithë vendi po mban zi për 13 njerëzit që u vranë dje nga një person i armatosur në një bazë ushtarake në Teksas. Por ai tha sot se nuk duhet të arrihet në përfundime të nxituara për shkaqet që e bënë Majorin Nidal Malik Hasanin të hapë zjarr, ndërkohë që vazhdojnë hetimet. Mbi 30 vetë u plagosën.

Presidenti Obama u takua me drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve dhe zyrtarë të tjerë të lartë dje në mëngjes për të diskutuar ngjarjen. Pastaj ai dha një deklaratë nga oborri i Shtëpisë së Bardhë, jashtë zyrës së tij, për t’u shprehur edhe një herë ngushëllimet familjeve të atyre që u vranë gjatë sulmit, dhe për t’u bërë thirrje njerëzve të presin rezultatet e hetimeve.

“Ne nuk i dimë ende të gjitha përgjigjet, dhe do të kërkoja të tregohet kujdes para se të arrijmë në përfundime pa pasur të gjitha faktet. Deri tani dimë se ka familje, miq dhe një komb të tërë që po mban zi për burrat dhe gratë që u sulmuan dje në një nga vrasjet masive më të rënda që kanë ndodhur ndonjëherë në një bazë ushtarake amerikane.”

Presidenti dha urdhër që të gjithë flamujt të valëviten në gjysmështizë në shenjë nderimi për ata që humbën jetën ndërkohë që përgatiteshin të vinin jetët e tyre në rrezik për vendin.

“Ne e nderojmë shërbimin e tyre. Ne jemi të mahnitur nga sakrifica e tyre. Dhe lutemi për sigurinë e atyre që luftojnë dhe për familjet e të rënëve.”

Presidenti premtoi gjithashtu se do të jepte më shumë informacione ndërkohë që vazhdojnë hetimet.

Në Fort Hud dje, zyrtarët thanë se hetuesit vazhduan të intervistonin njerëz dhe të përdornin teknika shkencore për të bashkuar copat e ngjarjes kur Majori Nidal Malik Hasan hapi zjarr me dy revole në një qendër ku përgatiteshin ushtarët që do të dislokoheshin në Irak dhe Afganistan. Hasan, i cili është 39 vjeç, po e merr veten nga plagët që mori nnga një police civile.

Këshilltarët dhe presoneli mjekësor vazhduan gjithashtu punën me të plagosurit dhe me familjet dhe miqtë e të vrarëve.

Oficeri më i lartë i ushtrisë, gjenerali Xhorxh Kejsi, vizitoi Fort Hudin dhe dha një përgjigje emocionale në lidhje me incidentin.

“Ju them se ky ishte një grusht i fortë jo vetëm për komunitetin e Fort Hudit po për të gjithë ushtrinë.”

Gjenerali Kejsi tha se u kishte dhënë urdhër komandantëve në të gjithë botën të rishikonin procedurat e sigurisë, dhe gjithashtu të ndërmerrnin masa për të shmangur hakmarrjen e mundshme ndaj ushtarëve myslimanë.

“Një nga arsyet përse u thashë udhëheqësve të informojnë njerëzit e tyre dhe të mos nxitohen me paragjykime apo spekullime deri sa të përfundojnë hetimet është sepse jam i shqetësuar për mundësinë e hakmarrjes, dhe ne të gjithë duhet të jemi të shqetësuar për këtë.”

Gjenerali Kejsi tha gjithashtu se kishte folur me ushtarët në Fort Hud të cilët kishin bërë veprime heroike në ndihmë të ushtarëve të plagosur të enjten, duke përfshirë disa ushtarë që ishin plagosur edhe vetë. Njëri që kishte marrë katër nga shokët e tij të plagosur në kamion për në spital dhe disa të tjerë që kishin vrapuar në vendngjarje nga një ceremoni që po zhvillohej aty pranë.

“Dëgjova historinë e mjekëve që po merrnin pjesë në ceremoninë e diplomimit në godinën aty pranë dhe që pasi kishin dëgjuar të shtënat kishin vrapuar për të ndihmuar.”

Incidenti i të enjtes u kujtoi shumë njerëzve vrasjet në Bagdad në muajin maj, ku një ushtar vrau pesë veta në një klinikë të shëndetit mendor. Gjenerali Kejsi e pranoi se dislokimet e shpeshta në zona lufte gjatë viteve të fundit e kanë tendosur ushtrinë amerikane, por ai tha se do të ishte e gabuar të arrinim në përfundimin se ushtria ka probleme të mëdha. Ai vuri në dukje se ushtria e ka rritur me 70 mijë veta numrin e saj gjatë pesë viteve të fundit. Përveç kësaj, ajo ka shumë programe që ndihmojnë ushtarët për të trajtuar stresin e krijuar nga luftërat.

Në Pentagon, krye zëdhënësi i Ushtrisë, Gjeneral Majori Kevin Bergner, konfirmoi se autori i sulmit, Majori Hasan nuk ishte dislokuar asnjëherë, por ishte informuar se së shpejti do të dërgohej në një nga zonat e luftës.

“Atij i kishte ardhur radha për t’u dislokuar dhe ishte pjesë e kërkesës për më shumë forca.”

Gjenerali Bergner nuk mund të komentonte për njoftimet se majori Hasan, i cili është mysliman, kishte shkruar disa gjëra në internet që mbështesnin sulmet vetëvrasëse, por ai tha se të gjitha këto janë pjesë e hetimeve të përbashkëta të ushtrisë dhe atyre civile. Hasan, i cili ishte psikiatër i specializuar në këshillim për të traumatizuarit dhe kishte punuar me trupat e plagosura dhe me trauma që ktheheshin nga luftërat që kur kishte filluar trainimin në vitin 2003. Ushtria ka programe edhe për psikiatrët si majori Hasan që trajtojnë traumat e të tjerëve çdo ditë. //bsa//


XS
SM
MD
LG