Lidhje

Rënia e Murit të Berlinit dhe arkivat e policisë sekrete gjermane Stasi


Një nga ngjarjet më të mëdha që pasuan rënien e Murit të Berlinit, ishte hyrja e protestuesve gjermanë në zyrat e policisë sekrete, Stasit. Dy muaj pas rënies së Murit dhe dorëheqjes së byrosë politike të Republikës Demokratike Gjermane, sigurimi i urryer i shtetit, Stasi, vazhdonte punën. Për demonstruesit kjo ishte skandaloze. Protesta u zhvillua me moton "Në qoftë se nuk dilni jashtë, ne do t'ju murosim brenda". Protestuesit kërkonin që selia e Stasit t'i dorëzohej një komiteti civil.

Më 15 janar 1990, rreth 2000 demostrues ishin mbledhur jashtë zyrtave të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Gjermanisë Lindore në Normannenstrasse, rruga Normannen, në distriktin Lichtenberg të Berlinit Lindor.

Pasi zyrtarët e Stasit nuk dolën, protestuesit u dyndën në ndërtesën e policisë sekrete, bastisën zyrat dhe shkruajtën parulla nëpër mure. Pushtimi i zyrtave në Normannenstrasse i dha fund Stasit. Në dhjetor 1989, protestuesit kishin pushtuar zyrat lokale të shërbimit sekret gjermano-lindor, por zyra qendrore e Stasit në Berlin kishte refuzuar të shpërbëhej, ashtu siç kishin vendosur autoritetet që fuqi pas rënies së Murit të Berlinit.

Barbara Timm ishte mes protestuesve që sulmuan kryeqendrën e Stasit. Ajo kujton atmosferën dhe ndjenjat e 20 vjetëve më parë, kur hyri në ndërtesë për herë të parë.

"Ishte diçka tepër mbresëlënëse të vije këtu, po as mbresëlënëse sa edhe protesta e heshtur një natë më parë. Por errësita ishte njëkohësisht edhe e frikshme dhe kërcënuese, por në fakt ajo ka qënë koha më impresionuese e gjithë jetës time”.

David Gill, student 24-vjeçar në atë kohë, ishte dëshmitar i ngjarjeve në zyrat qendrore të Stasit. Ditën tjetër ai iu bashkua komitetit civil të sapokrijuar që mori nën kontroll zyrtat e Stasit dhemë pas u zgjodh kryetar i komitetit, një detyrë që i ndryshoi jetën. Komiteti ishte i ngarkuar për të shpërndarë këtë organizim masiv me 91 mijë punonjës të përhershëm deh 100 mijë informatorë të jashtëm.

Një prej detyrave të para të komitetit civil ishte ruajtja e qindra mijëra dosjeve të Stasit. Disa ish punonjës të Stasit prunë dosje të tjera nga rajonet në zyrën qendrore. Gill kujton se fillimisht komiteti nuk dinte se çfarë të bënte me gjithë këto dokumete.

"Sot është e paimagjinueshme, por në fillim, në komitetin civil ne diskutonim edhe nëse do të ishte e drejtë që dosjet të asgjësoheshin. Zyrtarët e Stasit i kishin bindur njerëzit ose u kishin lënë përshtypjen se në to kishte informacion të atillë që do të ishte shkatërrues për shoqërinë gjermane dhe do të bënte që njerëzit të bënin vetgjyqësi dhe të linçonin”.

Por shumë shpejt u bë e qartë se në fakt disa nga dosjet kishin material tepër iritues, pasi disa nga anëtarët e opozitës gjermano-lindore dhe aktivistë të të drejtave të njeriut duhej të sqaronin lidhjet e tyre me Stasin. Disa nga këto raste më pas u trajtuan me gjyqe.

Pas ribashkimit të Gjermanisë më 3 tetor 1990, përgjegjësia për ruajtjen e dokumenteve të Stasit kaloi nga komiteti civil tek një autoritet i ri, BSTU, ose Zyra e Komisionerit Federal, që mban emrin e titullarit të saj të parë, Joachim Gauck. Kjo zyrë drejtohet tani nga Marianne Birthler.

BSTU ruan tani dokumentacionin e Stasit në arkivat e saj dhe u jep për t’i parë dosjet për qëllime të ndryshme individëve, institucioneve dhe publikut, sipas rregullave të vendosura. Kjo zyrë ka marrë që nga fillimi mbi 6 milionë kërkesa për të parë dosjet e Stasit dhe disa dhjetra mijëra kërkesa i drejtohen asaj çdo nga njerëz që duan të shikojnë dosjet e tyre ose dosje të tjera të Stasit.

Edhe tani, 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, një pjesë e trashëgimisë së Sasit mbetet për t’u trajtuar. Mbi 15 mijë thasë me dokumente të Stasit janë ende të pahapur në arkivin e BSTU-së.

Shumë dosje të Stasit u grinë në ditët e fundit të shërbimit sekret gjermano-lindor, por puna për rindërtimin e këtyre dosjeve vazhdon dhe me ndihmën e teknologjisë moderne, dosjet e grira skanohen dhe nëpërmjet një programi kompjuterik ato riformulohen në gjendjen e mëparëshme.

Ish kryeqendra e Stasit në Normannenstrasse, është tani memorial dhe qendër studimetsh.

XS
SM
MD
LG