Lidhje

Pensionistët amerikanë nën barrën e problemeve ekonomike


Për herë të parë në 30 vjet, amerikanët që përfitojnë nga sigurimet sociale, programi qeveritar i pensionit, nuk do të shohin ngritje të pagesës në përputhje me inflacionin. Mbi 52 milionë amerikanë të moshuar varen tek sigurimet sociale si e ardhura e vetme, ose pjesë e të ardhurave të pensionit. Ndërkohë që kriza ekonomike ka prekur ndjeshëm fondet e tjera të pensioneve dhe bursën amerikane, për shumë pensionistë amerikanë, sigurimet sociale nuk janë thjeshtë një e ardhur shtesë, por burimi kryesor i të ardhurave.

97-vjeçarja Ana Maiman është një ndër 52 milionë amerikanët që përfitojnë nga sigurimet sociale. Këtë vit pagesa nuk do të rritet si zakonisht nga inflacioni

Zonja Maiman erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Polonia, në moshën 17-vjeçare. I shoqi vdiq disa vjet më parë. Ajo vuan nga demenca senile, prandaj për të kujdeset nipi, Mike Maiman.

Të ardhurat e tyre mujore kapin 1350 dollarë në muaj, një pjesë nga pagesa e sigurimeve sociale, të tjetra nga pensioni i bashkëshortit të zonjës Maiman. Ana është mjaft aktive për moshën që ka. Nipi i saj thotë se pa një rritje të pagës së sigurimeve sociale, cilësia e jetës së saj do të ndryshojë.

"Nuk është se kemi mbetur për jetë a vdekje, por nënkupton një jetesë shumë të kufizuar, pasi ajo s’do të jetë në gjendje të bëjë gjë me këtë buxhet të vogël.”

Sigurimet Sociale u krijuan në fillim të shekullit të 20, për të mbrojtur amerikanët e moshuar nga varfëria. Gjatë viteve të punës, çdo amerikan kontribuon në fondin e sigurimeve sociale. Çdo vit pagesat nga ky fond rriten në përputhje me rritjen e indeksit të çmimeve për mallrat e konsumit. Këtë vit ky indeks ra 1.3 për qind, si rezultat i rënies së ndjeshme të çmimeve të karburantit.

Nancy Altman është specialiste për fondet e pensioneve dhe sigurimet sociale. Ajo nuk mendon se indeksi i çmimeve të mallrave për konsum është tregues i saktë i kostos së jetesës për pensionistët. Sipas zonjës Altman, ky indeks nuk merr parasysh koston e strehimit dhe kujdesit shëndetësor, shpenzimet kryesore të pensionistëve. Për këtë arsye, ajo mendon se pagesat nga sigurimet sociale duhet të rriten.

“Pagesat mesatare nga sigurimet sociale janë më të ulëta se paga që merr dikush që paguhet me rrogë minimale. Pra sigurimet sociale nuk të ofrojnë as kushtet e jetesës me pagë minimale. Prandaj, kur nuk merret parasysh rritja e kostos së jetesës, problemi thellohet. Këto përfitime nuk mjaftojnë.”

Mbesa e Anës paguan që gjyshja e saj të frekuentojë dy herë në javë qendrën jo-fitimprurëse Winter Growth për të moshuarit. Atje Ana merr pjesë në kurse dhe aktivitete. Ashtu si shumë të moshuar të tjerë, pa ndihmë nga mbesa, ajo s’do të mund të vinte këtu.

Zyrtarë të Administratës për sigurimet sociale thonë se një i moshuar merr mesatarisht 1,150 dollarë në muaj nga ky fond. Afro 40 për qind e të gjithë pensionistëve mbështeten tek sigurimet sociale për 90 për qind të të ardhurave. Marge Burba është drejtoresha ekzekutive e qendrës Winter Growth. Ajo thotë se sigurimet sociale janë burimi i vetëm i të ardhurave për gjysmën e klientëve të saj dhe kur nuk rritet paga nga sigurimet sociale, ndikohet edhe aktiviteti i kompanive që u shërbejnë të moshuarve:

"Kostoja e operacioneve tona do të rritet duke kaluar rritjen e indeksit të mallrave të konsumit, por klientët tanë nuk do të kenë mundësi të paguajnë. Kjo do të na detyrojë të gjejmë mënyra për ta përballuar këtë rritje që të vazhdojmë të japim një shërbim cilësor.”

Presidenti Barak Obama thotë se ka në plan t’u japë sa më parë një pagesë emergjence prej 250 dollarësh pensionistëve që marrin sigurime sociale. Ky propozim është përfshirë në një paketë projekt-ligjesh në diskutim në Kongres.

Për Ana Maiman dhe pensionistë të tjerë, kjo rritje nënkupton 30-40 dollarë më shumë në muaj. Jo shumë, por një farë ndihme për momente nevoje të madhe. //mm//
XS
SM
MD
LG