Lidhje

Presidenti Obama përshëndet miratimin e ligjit elektoral në Irak


Presidenti amerikan Barak Obama thotë se miratimi i ligjit të shumëpritur elektoral nga parlamenti irakian është një hap shumë i rëndësishëm. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Pola Uolfson, zoti Obama thotë se ligji i hap rrugë tërheqjes së planifikuar të trupave luftarake amerikane nga Iraku.

Pak pasi parlamenti irakian miratoi ligjin e ri elektoral, presidenti Barak Obama doli para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë:

“Ky është një hap i rëndësishëm ndërkohë që populli irakian vazhdon të marrë përgjegjësinë për të ardhmen e tij.”

Zoti Obama thotë se ligjvënësit irakianë e kanë treguar përkushtimin ndaj vendit të tyre. Ai thotë se kjo i dërgon një mesazh botës në një kohë që qeveria irakiane po sprovohet në vendin e vet.

“Iraku ka tani shumë sfida. Dhe gjatë javëve të fundit kemi parë se ka ende nga ata që do të vrisnin njerëz të pafajshëm, gra dhe fëmijë dhe t’i mohojnë popullit irakian atë që meriton. Hapi i sotëm përpara është një tjetër tregues se armiqtë e popullit irakian do të dështojnë.”

Presidenti e pranoi se përpara ka ende kohë të vështira. Por ai tha se veprimi i ndërmarrë nga parlamenti irakian është një arritje domethënëse.

“Kjo marrëveshje nxit përparimin politik që mund të sjellë paqe afatgjatë dhe bashkim në Irak dhe të lejojë për tërheqjen pa probleme të trupave luftarake amerikane nga Iraku deri në shtatorin e ardhshëm.”

Ligji i ri elektoral i hap rrugën zgjedhjeve kombëtare në janar.

Miratimi i ligjit ishte vonuar nga mosmarrëveshjet e vazhdueshme për mënyrën se si do të zhvilloheshin votimet në Kirkuk. Kurdët irakianë thonë se Kirkuku u takon atyre, i cili ka edhe rezerva të mëdha nafte, por banorët arabë dhe turkmenë thonë se qyteti duhet të qendrojë nën kontrollin e qeverisë qendrore. //bsa//

XS
SM
MD
LG