Lidhje

Një muzeum kombëtar i luftës në Nju Orlins


Muzeumi Kombëtar i Luftës së Dytë Botërore në New Orleans përuroi një ndërtesë të re 60 milion dollarëshe që përfshin një sallë koncertesh, një restorant dhe një kinema të madhe, çka është cilësuar si një qendër e multimedias katërdimensionale. Në muze po shfaqet aktualisht një prezantim filmik prej 35 minutash me titull "Beyond All Boundaries" – “Përtej të gjithë kufijve”, i cili bashkon në një të vetme Hollivudin, teknologjinë e lartë dhe historinë.

Aktori Tom Hanks është producenti ekzekutiv dhe rrëfyesi i këtij prezantimi multimediatik.

Filmi shfaqet në një skenë gjigante dhe përmban plot efekte dritash dhe lëvizjesh që shoqërojnë zhvillimin e ngjarjeve.

Tom Hanks, i cili lindi më se 10 vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, thotë se lufta pati mjaft ndikim në formimin e tij.

"Në vitet e mija të formimit të hershëm, çdo i rritur që kujdesej për mua kishte kaluar nëpër përvojën e luftës, qoftë edhe thjesht për faktin që kishte mbetur gjallë gjatë saj. Ata të gjithë flisnin për luftën si për një epokë të veçantë."

Por brezat e rinj nuk e kanë kërtë lloj lidhjeje me luftën madje një pjesë dinë shumë pak për të.

Presidenti i Muzeumit të Luftës së Dytë Botërore, Nik Mjuller, thotë se pikërisht kjo ishte arësyeja e këtij prezantimi në multimedia.

"Të rinjtë e sotëm janë rritur me teknologjinë. Ata mësojnë me këto mënyra të reja prandaj duke i bombarduar me imazhe, tinguj dhe dritë në lëvizje të vazhdueshme, kjo e bën historinë më të gjallë dhe i ndihmon ata të mësojnë.”

Megjithatë, një grup gazetarësh të rinj që shkruajnë në një blog për muzeumin, thonë se më shumë u bënë përshtypje veteranët që kishin takuar atje dhe historitë e tyre personale.

Një ndër veteranët e luftës që u flet vizitorëve është 90-vjeçari Bert Stolier, i cili pa me sytë e tij sulmin japonez mbi Pearl Harbor.

"Ishin dy orë bombardime, sulme me silure, shpërthime anijesh, kudo shikoje trupa marinarësh pa jetë që pluskonin mbi ujë."

Stolier mori pjesë në disa beteja në Paqësor dhe pa me sy shkatërrime të tjera para se të mund të kthehej përsëri në shtëpi.

Në Shtetet e Bashkuara kanë mbetur gjallë rreth 2 milion veteranë lufte të cilët po shuhen me shpejtësi, çdo ditë vdesin rreth 900 prej tyre. Por zërat e tyre mund t’i dëgjosh në shumë prej prezantimeve në muze. Nik Mjuller thotë se vazhdojnë përpjekjet për të regjistruar edhe kujtime të tjera.

"Kemi më shumë se 3 mijë tregime të incizuara me zë. Kemi një gup historianësh që mbledhin ludo në Amerikë histori të tilla që do të ekzpozohen këtu në të ardhmen."

Mjuller thotë se ide nuk është të glorifikohet lufta apo të mburremi me fitoren por të edukojmë njerëzit për këtë ngjarje të historisë që çoi në vdekjen e më shumë se 65 milion njerëzve.

Kjo masakër është diçka që veteranë të vjetër si Bert Stolier nuk mund ta harrojnë sot.

"Koha kalon dhe ne shpresojmë se asgjë e tillë nuk do të përsëritet më."

Zgjerimi i Muzeumit Kombëtar të Luftës së Dytë Botërore është pjesë e një plani që parashikon ndërtimin e tre ndërtesave të tjera deri në vitin 2015. //ii

XS
SM
MD
LG