Lidhje

Dita e Veteranëve në Britani, këtë vit me kuptim të veçantë


Çdo vit në këtë kohë, miliona vetë në Britani vendosin lulëkuqe prej letre në jakat e xhaketave në kujtim të Ditës së Armpushimit dhe në mbështetje të forcave të armatosura. Këtë vit, në Ditën e Veteranëve, që kujton përfundimin e Luftës së Parë Botërore, ceremonitë dhe simbolet përkujtimore kanë një domethënie të veçantë.

Një ndër detyrat kryesore të forcave britanike në Afganistan është të ndalin tregtinë e drogës, kryesisht duke luftuar kultivimin e lulëkuqeve të opiumit.

6 mijë e 500 kilometra larg Afganistanit, në kohë mesdite në Londër, ushtarë dhe veteranë po përpiqen të tërheqin donacione, duke dhuruar lulëkuqe prej letre, që simbolizojnë mbështetje për forcat e armatosura britanike.

Në jakat e xhaketave në të gjithë Britaninë shfaqet në këtë ditë ky simbol që lindi nga poezia e një mjeku ushtarak kanadez gjatë Luftës së Parë Botërore, i cili kujtonte shokun e rënë. Në fushat ku prehen të rënët, thotë poezia, mes rreshtave të varreve rriten lulëkuqet.

Për këtë britanik kjo është një traditë e rëndësishme, që shpreh respektin për të rënët.

Ndër ata që po shpërndajnë lulëkuqe në këtë pikë janë edhe dy ushtarë nepalezë. Regjimentet nepaleze ende përfshihen në Ushtrinë Britanike. Kapiteni Lal Badr Gurung thotë se edhe bashkatdhetarët e tij nderohen:

“Tradita nderon të gjithë ata që luftuan. Nderohet çdo kombësi, si nepalezë, britanikë, kanadezë, të gjithë që u angazhuan.”

Po në Londër, para Abacisë Westminster është krijuar një fushë përkujtimore për 60 mijë të vrarët në luftërat e shekullit të 20.

Kryqet këtu nuk kujtojnë vetëm britaikët e vrarë, por edhe burrat dhe gratë nga vende të tjera që luftuan krah tyre. Që nga Azia, në Afrikë dhe në Lindjen e Largët.

Autori Kusum Vadgama thotë se ushtarë dhe civilë nga India luajtën një rol të madh në luftrat botërore.

“Indianët kanë kontribuar me para, me ushtarë dhe me përkushtimin dhe besnikërinë e tyre ndaj Britanisë.”

Megjithëse çdo vit organizohet një ceremoni e tillë, me rritjen e numrit të ushtarëve të vrarë në Afganistan, dhe ndërkohë që qindra të plagosur kthehen në atdhe, kjo traditë merr një rëndësi të veçantë.

Këta burra janë veteranë të Luftës së Dytë Botërore, që zbarkuan në brigjet e Normandisë në Francë. Fil Beri thotë se simboli i lulëkuqes e ka shoqëruar gjithë jetën:

“E kam mbështetur që kur u regjistrova në ushtri në vitin 1942. Kam kujtuar ata që u vranë në Luftën e Parë, Luftën e dytë Botërore e tani në Afganistan.”

Ai tregon zonën që është veçuar për të kujtuar të rënët në Afganistan. Aktualisht 9 mijë britanikë janë të dislokuar në Afganistan. 230 ushtarë britanikë janë vrarë që në vitin 2001, duke zgjuar dilema nga shumë veta për angazhimin në këtë luftë. Veterani i zbarkimit në Normandi, Les Birch, thotë se preferon që trupat të kthehen:

“Nuk fitohet dot lufta në Afganistan. Edhe nëse rrimë 100 vjet, nuk do i mundim.”

Në Britani është momenti për reflektim për luftrat e vjetra dhe të reja. //ii

XS
SM
MD
LG