Lidhje

Khalid Sheik Mohamed do të dalë para një gjykate civile në Nju Jork


Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Erik Holder thotë se personi që dyshohet si ideatori i sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Khalid Sheikh Mohamed, do të gjykohet në një gjykatë civile federale në Nju Jork. Zoti Holder tha se ka ndër mend të kërkojë dënimin me vdekje për secilin nga të akuzuarit. Presidenti Barak Obama tha po sot se Mohamed do t’i nënshtrohet kërkesave më të rrepta të drejtësisë. Por republikanët dhe kritikë të tjerë argumentojnë se zhvendosja e çështjeve në një gjykatë amerikane penale nga burgu ushtarak i Guantanamos, mund t’u jepte të ndaluarve të drejta ligjore që ata thonë se të dyshuarit nuk i meritojnë.

Njoftimi për gjyqin u bë në Uashington nga prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Erik Holder.

“Pas tetë vitesh vonesa, ata që akuzohen për sulmet e 11 shtatorit më në fund do të dalin para drejtësisë. Ata do të sillen në Nju Jork në një gjykatë vetëm disa blloqe larg vendit ku dikur ngriheshin kullat binjake.”

Kalid Sheik Mohamed dhe katër bashkpunëtorë të tjerë po mbahen në bazën ushtarake të Gjirit të Guantanamos në Kubë. Administrata e presidentit Bush donte që ata të dilnin para gjykatave ushtarake, dhe pikërisht për këtë arsye, vendimi i zotit Holder për t’i gjykuar ata në gjykata civile tregon një ndryshim të madh në strategjinë ligjore të administratës së presidentit Obama.

Presidenti Obama u pyet për këtë çështje gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin japonez në Tokio.

“Jam i bindur se Kalid Sheik Mohamed do t’i nënshtrohet kërkesave më të rrepta të drejtësisë. Këtë e kërkon populli amerikan dhe administrata ime.”

Zoti Holder u tha gazetarëve se synon të kërkojë dënimin me vdekje për pesë komplotuesit e dyshuar.

“Këto janë krime të papara dhe prandaj do të kërkojmë dënimin maksimal. Pres që prokurorët të kërkojnë dënimin me vdekje për të akuzuarit për sulmet terroriste të 11 shtatorit.”

Zoti Holder njoftoi gjithashtu se pesë të ndaluar të tjerë në bazën Guantanamo do të dalin para komisioneve ushtarake, duke përfshirë organizatorin e shpërthimit në anijen USS Cole në Jemen në vitin 2000.

Vendimi për t’i gjykuar komplotuesit e 11 shtatorit në gjykata civile u mirëprit nga grupe si Bashkimi Amerikan i Lirive Civile, por u kritikua nga disa republikanë si i papërgjegjshëm.

Anëtari republikan i kongresit Peter King nga Nju Jorku.

“Ky është vendimi më i keq që ka marrë ndonjëherë një president. Duke sjellë Kalid Sheik Mohamed dhe vrasës të tjerë në Shtetet e Bashkuara, presidenti u ka dhënë atyre të drejta që nuk do t’i kishin përndryshe.”

Edhe të afërmit e viktimave reaguan. Djali i Grisel Mojer ishte zjarrfikës që vdiq në Nju Jork gjatë sulmit në Qendrën Botërore të Tregëtisë.

“Mendoj se është e rëndësishme që kjo të ndodhë në Nju Jork. Ky është vendi ku ndodhi 11 shtatori dhe ku duhet të gjykohen ata. Shpresoj që dënohen me varje dhe unë t’i shoh.”

Por gjykimi i çështjes së 11 shtatorit në gjykata civile paraqet edhe sfida ligjore thotë analisti ligjor i rrjetit televiziv CBS, Andrju Kohen.

Megjithatë, prokurori i përgjithshëm Erik Holder thotë se vendimi i njoftuar dje është pjesë e një procesi më të gjerë për të mbyllur burgun e Guantanamos siç është urdhëruar edhe nga presidenti Obama.

Por zoti Holder thotë se do të jetë e vështirë që administrata ta mbyllë burgun deri në afatin e 22 janarit vitin e ardhshëm, meqenëse ka hasur vështirësi në transferimin e disave që janë miratuar për lirim.

XS
SM
MD
LG