Lidhje

Presidenti Obama : SHBA e vendosur për partneritet me Azinë


Presidenti Obama bëri thirrje për një epokë të re në marrëdhëniet trans-paqësore. Në fjalimin e tij në Tokio presidenti tha se Amerika është e vendosur për partneritet me Azinë për të përballur sfidat globale.Presidenti Obama tha se Amerika është dhe do të jetë gjithmonë një vend i Paqësorit.

“Azia dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë të ndara nga ky oqean i madh, përkundrazi ai na bashkon”. - tha ai

Lidhjet e tij personale janë të fuqishme. Presidenti ka kaluar fëmijërinë në Indonezi. Dhe kur Barak Obama iu drejtua njerëzve në Azinë Lindore nga Tokio, iu foli si të afërmve të familjes:

“Nuk duhet të ketë dyshim. Si presidenti i parë i Amerikës nga Paqësore, iu premtoj se vendi im do të forcojë dhe do të mbajë rolin udhëheqës në këtë pjesë të rëndësishme të botës”.

Ai tha se angazhimi i Amerikës në rajon fillon me Japoninë por nuk përfundon aty. Ai tha se është gjithashtu e rëndësishme të ndërtohet një partneritet i ri me vende si Kina:

“Në një botë të ndërlidhur, forca nuk do të thotë të jetë përcaktuesja e lojës dhe vendet nuk duhet të kenë frikë për suksesin e tjetrit. Kultivimi i sferave të bashkëpunimit – dhe jo konkurenca e sferave të influencës, do të çojnë drejt përparimit në Azi-Paqësor”.

Presidenti Obama e bëri të qartë se kërkon një balance delikate në marrëdhëniet me Kinën – kërkon bashkëpunim në çështje globale dhe rajonale, ndërsa do të mbajë mbrojë çështjen e të drejtave të njeriut.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë asnjëherë të flasin për vlerat themelore që i kemi të shtrenjta dhe ku përfshihen respektimi i fesë dhe kulturave të të gjithë njerëzve. Mbështetja për të drejtat dhe dinjitetin njerëzor janë të rrënjosura në Amerikë. Por ne mund t’i vazhdojmë këto diskutime nën frymën e partneritetit dhe jo të mërive”. - tha presidenti Obama

Presidenti që do të mbërrijë në Kinë të djelën, nuk përmendi Tibetin. Por ai bëri thirrje për veprim nga udhëheqësit e Birmanisë për të liruar të dënuarit politik dhe fillimin e një dialogu me përkrahësit e demokracisë. //mm//

XS
SM
MD
LG