Lidhje

Shqipëri, votohet për pushtetin vendor në 5 bashki e komuna të vendit


Në Shqipëri sot u votua për drejtuesit e pushtetit vendor në 5 bashki e komuna të vendit.
Opozita socialiste i ka bojkotuar këto zgjedhje, ndersa sot të gjithë të zgjedhurit e saj vendor protestuan përpara kryeministrisë për cënimin nga ana e qeverisë , siç shprehen ata, të autonomisë së tyre financiare.

Protesta e drejtuar nga kryetari socialist Edi Rama, njëkohësisht dhe kryetar i bashkisë më të madhe të vendit, asaj të kryeqytetit, lidhej me disa vendime dhe ligje të qeverisë mbi taksat dhe tarifat vendore. Kryebashkiaku i Tiranës tha se në mënyrë të vazhdueshme qeveria e kryeministrit Berisha ka cënuar rëndë punën e bashkive, ka nxjerrë ligje e vendime në shkelje me kushtetutën, dhe se ka kufizuar ndjeshëm instrumentat financiar e fiskal të pushtetit vendor.

Drejtuesit vendas socialistë kanë kundërshtuar në vecanti një vendim të qeverisë sipas të cilit bizneset e vogla me një xhiro vjetore mbi 5 milion lekë do të konsiderohen, nga 1 janari i ardhshëm, biznes i madh e për pasojë taksat për ta do t’i shkojnë qeverisë.

Sipas zotit Rama kjo do të sillte, nga njëra anë, rrënimin e shumë biznesve dhe nga ana tjetër rënien drastike të të ardhurave të pushtetit vendor.

Në protestë është firmosur edhe një apel me 5 kërkesa drejtuar kryeministrit për anullimin e vendimeve dhe ligjeve që lidhen me taksat dhe nivelet e tarifave vendore.

Qeveria nga ana e saj ka deklaruar se pjesën e munguar të këtyre të ardhurave ajo, ja plotëson pushtetit vendor, me grantet që jep për ta.

Drejtuesit vendor socialistë kanë vënë si afat 5 dhjetorin për plotësimin e kërkesave të tyre duke paralajmëruar përshkallëzim të protestës.

Përplasja për pushtetin vendor i shtohet konfliktit të madh mes pozitës dhe opozitës për cëhstjen e zgjedhjeve. Opozita sot nuk mori pjesë as në votimet për 5 kryetar komunash e bashkishë, vende të mbetura bosh pas zgjedhjes së ish drejtuesve të tyre si deputet.

Në këto votime është vënë re një pjesmarrje shumë e ulët, rreth 20-25 përqind deri pasdite, për shkak të një gare pa konkurrencën e dy forcave kryesore politike.

XS
SM
MD
LG