Lidhje

Marihuana dhe përdorimi për qëllime mjeksore


Shoqata Amerikane e Mjekësisë, organizata më e madhe e mjekëve në vend, bëri thirrje për rishikimin e klasifikimit që qeveria amerikane i ka bërë marihuanës, si drogë e rrezikshme, pa dobi mjekësore. Pa dalë hapur në mbështetje të përdorimit klinik të kësaj droge, organizata bën thirrje për shtimin e kërkimeve lidhur me të mirat e mundshme të kësaj bime. 14 shtete amerikane lejojnë përdorimin e marihuanës për qëllime mjekësore. Kjo bimë vazhdon të jetë e paligjshme në bazë të ligjit federal, por kohët e fundit adiministrata e Presidentit Obama tha se nuk do të ndjekë penalisht tregtarët e marihuanës që veprojnë në bazë të ligjit shtetëror.

Kalifornia ka marrë prej kohësh nam si parajsë për ata që përdorin marihuanën. Ky film me personazhet Cheech dhe Chong shtjellon një traditë hipizmi dhe droge që pushtoi Kaliforninë në vitet 60 dhe 70.

Për disa përdorues të marihuanës, kjo drogë tani gjendet kollaj. Në këtë klinikë të quajtur Medithrive në San Francisco, punonjësit thonë se mund të blesh marijuanë, nëse ke recetë nga mjeku, gjë që në Kaliforni është e ligjshme në bazë të ligjit shtetëror, por jo federal.

Në qytetin Oackland, Klinika Harborside është një qendër edhe më e madhe e shpërndarjes së marihuanës, me 600 pacientë në ditë. Kjo klinikë me 30 mijë anëtarë, ka mbi 20 milionë dollarë xhiro në vit. Klinika operon në bazë të ligjit kalifornian, duke shitur marihuanë për një gamë problemesh shëndeti, thotë themeluesi i saj Steve DeAngelo.

“Kur na vjen një pacient për herë të parë, pa dyshim kontrollojmë a ka recetë për blerjen e marihuanës. Pastaj i kërkojmë të nënshkruajë një marrëveshje. Në atë dokument pacienti zgjedh nëse pranon të bëhet pjesë e kolektivit tonë dhe të autorizojë të gjithë pjesëtarët e tjerë të kolektivit të kultivojnë marihuanë për të.”


Ata që duan të hapin klinikën e tyre të marihuanës mund të marrin përvojë nga Universiteti Oaksterdam, i themeluar nga Richard Lee:

“Pasi zgjidhin dilemat politike e ligjore, studentët mund të ndjekin kurse bujqësore, kurse gatimi apo për përgatitjen e hashishit, kurse për kujdesin ndaj gonxhes, për menaxhim, hapje biznesi, të gjitha këto.”


Los Anxhelos ka mbi 800 klinika për kanabis, më tepër se dyqane kafeje apo shkolla publike. Disa klinika kanë liçencë operimi nga qyteti, të tjerat u hapën pasi zbuluan një të çarë në ligj. Autoritetet bashkiake thonë se shumë nga klinikat janë të paligjshme dhe janë zotuar t’i mbyllin.

Shumica e policëve në Kaliforni e kundërshtojnë me forcë përhapjen e klinikave të marihuanës në këtë shtet. Kim Raney, shefi i policisë së qytetit Covina thotë se beson që, megjithëse marihuana ndihmon të sëmurët, vetëm një numër shumë i vogël përdoruesish, ndoshta 2 për qind janë të sëmurë.

“Ata që kanë kancer, sklerozë apo probleme të tjera, gjejnë disa përbërës tek marihuana që ndoshta u ofrojnë këtyre njerëzve pak qetësim. Nuk jemi kundër kësaj. Por si t’ia bëjmë pjesës tjetër, 98 për qindshit që, me sa dimë ne, e shfrytëzojnë këtë hapësirë në ligj për të marrë marihuanë për qejf.”

Bill Britt shqetësohet se përdorimi i marihuanës mund të kufizohet. Ai ka kaluar poliomelitin kur ishte fëmijë dhe thotë se marihuana e ndihmon pa pasur nevojë për shumë ilaçe të tjera. Ai përdor disa herë në ditë një pajisje me avuj marihuane.

“Ndoshta do të përdorja ilaçe kundër dhimbjeje, për të qetësuar muskujt, kundër spazmës, kundër të vjellave, si dhe kundër depresionit. Kam një listë të gjatë me ilaçe.”


Ata që marrin marihuanë thonë se nuk duhet të konsiderohet si drogë e paligjshme. Marihuana, thonë ata, duhet të taksohet si duhani apo alkooli. Por kundërshtarët e marihuanës thonë se legalizimi i marihuanës nuk duhet bërë pa një debat publik.

Si përkrahësit, edhe kundërshtarët e klinikave të marihuanës pohojnë se ligjet aktuale që kontrollojnë përdorimin e marihuanës mjekësore janë çorientuese dhe tani duhet që gjykatat të vendosin se si dhe për ç’nevoja mund të blihet marihuana. //ii

XS
SM
MD
LG