Lidhje

Kinë: Obama flet për lirinë e informimit në takim me studentët


Presidenti Barak Obama zhvilloi bisedime në Pekin me homologun e tij kinez, Hu Gjin Tao pas një diskutimi që pati po sot me studentë universitarë mbi liritë politike dhe fetare.

Presidenti Hu dha një darkë për nder të zotit Obama në Shtëpinë e Pritjes.

Bisedime të tjera më të hollësishme janë planifikuar për nesër, kur zoti Obama dhe udhëheqës të tjerë kinezë pritet të diskutojnë mbi ndryshimet klimatike, tregtinë, Korenë e Veriut dhe Iranin.

Ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë gjithashtu se zoti Obama do të shtrojë edhe çështjen e të drejtave të njeriut.

Presidenti Barak Obama pati një takim me studentët kinezë në Shangai, kryeqyteti tregtar i Kinës. Në takimin me pyetje-përgjigje, Presidenti Obama theksoi rëndësinë e lirisë së informimit dhe njëkohësisht bëri thirrje për një bashkëpunim më të madh mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Presidenti Obama e hapi takimin me studentët kinezë me një ton prej profesori, duke folur së pari për historinë e marrëdhënieve amerikano-kineze dhe për rëndësisnë që ka bashkëpunime.

"Ne e dimë se përfitohet më shumë kur fuqitë e mëdha bashkëpunojnë se sa kur ato përplasen."


Por në të njëjtën kohë, ai e bëri të qartë se do të mbrojë me forcë ato liri që për amerikanët janë të çmuara.

"Këto liri të shprehjes dhe të besimit, të aksesit ndaj informacionit dhe të pjesmarrjes politike, ne besojmë se janë të drejta universale. Ato duhet të jenë për të gjithë njerëzit."


Zoti Obama i bëri komentet në vendin që ka numrin më të madh të përdoruesve të internetit dhe të telefonëve celularë. Por qeveria kineze ka vendosur kufizime për faqe të caktuara interneti. Presidenti tha se ai është një mbështetës i vendosur i idesë se aksesi në internet duhet të jetë i papenguar.

"Mendoj se sa më lirisht të qarkullojë informacioni, aq më e fortë bëhet shoqëria sepse kështu qytetarët e vendeve të ndryshme të botës mund t’u kërkojnë llogari qeverive të tyre dhe të fillojnë të mendojnë vetë.”

Por ndërsa theksoi të mirat e mediumeve të reja, Presidenti pranoi se bashkë me to ka edhe një aspekt negativ.

"Kjo nënkupton gjithashtu se terroristët janë në gjendje të organizohen në internet me mënyra që ndoshta nuk i bënin dot në të kaluarën. "

Zoti Obama iu kthye temës së terrorizmit kur iu përgjigj pyetjes së fundit, lidhur me vendimin që ai pret të marrë pas rishikimit të strategjisë për luftën në Afganistan.

"Unë vazhdoj të besoj se kërcënimi më i madh ndaj sigurisë së Shteteve të Bashkuara janë rrjetet terroriste si al-Kaida. Dhe arësyeja është se edhe pse të vogla në numër, ato kanë treguar se nuk pyesin aspak kur është fjala për vrasjen e civilëve të pafajshëm."

Takimi me studentët u dha drejtpërdrejt nga faqja e internetit e Shtëpisë së Bardhë. Megjithëse u transmetua edhe në Kinë, takimi nuk u dha në televizionin kryesor të vendit. //ii

XS
SM
MD
LG