Lidhje

SHBA përpiqen të reformojnë trajtimin e klandestinëve


SHBA po përpiqen të reformojnë mënyrën e ndalimit të imigrantëve të paligjshëm. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Janet Napolitano ka në plan të zbatojë pa humbur kohë disa reforma dhe pritet t’i kërkojë Kongresit të miratojë disa alternativa për objektet e parandalimit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti intervistoi një imigrante të paligjshme që aktualisht ndodhet në burg dhe shpjegon se si reformat mund ta ndryshojnë situatën e saj.

Dielli ende nuk kishte lindur mirë, kur Peter Yune pa nga vrima e çelësit 10 policë që po prisnin tek dera e shtëpisë.

"Ata hynë në shtëpi, duke më shtyrë dhe më thanë të qëndroja pa lëvizur."


Pas kësaj ngjarjeje, policia e mori gruan e Yunit, Jong Park, për shkeljen e rregullave të imigracionit. Yune pranon se Park jetonte ilegalisht në Amerikë, pasi nuk ja kishin dhënë dokumentin e qëndrimit të ligjshëm në SHBA. Zyrtarët thonë se Park ishte dënuar në vitin 2003 për nxitje prostitucioni. Një gjykatës i imigracionit e kishte urdhëruar atë të largohej nga SHBA.

Për 24 orë, Yuni nuk mundi ta gjente gruan e tij në qendrat e ndalimit. Ai nuk ishte në gjendje të përqëndrohej dot tek puna që bënte. Përmes një avokati, ai mësoi se Jong Park ishte futur në një burg, që ndodhej 4 orë larg shtëpisë, në Portsmuth të Virginias.

Zëri i Amerikës foli në telefon me Jong Park, nga burgu dhe e pyeti se si ndjehet pas një muaji burg.

"Jam shumë e mërzitur, më ka marrë malli për familjen", - thotë ajo.

Jong Park thotë se e lejojnë të dalë nga qelia vetëm për të ngrënë dhe se ka rreth vete të dënuara për vepra kriminale.

"A keni frikë nga të burgosurat e tjera?"
"Po, nga disa prej tyre....,"
- thotë ajo.

"Gruaja ime nuk është kriminele. Sigurisht, ajo nuk e kishte green-kardën. Por që kjo dëshirë e saj për të qëndruar këtu pa dokument të quhet aktivitet kriminal, nuk di ç’të them për këtë..."


Përkrahës të imigracionit thonë se ndodh shumë shpesh, që persona jo të dhunshëm mbahen në burgje bashkë me krimielët, ku nuk mund t’i takojnë familjarët, apo miqtë dhe ku nuk mund t’i gjejnë as avokatët.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Jannet Napolitano kërkon që Kongresi t’i reformojë rregullat e ndalimit të imigrantëve të paligjshëm.

Ne duhet ta përmirësojmë mënyrën e trajtimit të të ndaluarve, thotë Sekretarja Napolitano. Sipas saj, vitin e kaluar u ndaluan rreth 400 mijë imigrantë. Rreth 32 mijë prej tyre ndodhen aktualisht në burg. Një alternativë që po shqyrtohet, është përdorimi i byzylykëve elektronikë për monitorimin e tyre jashtë burgut. Një tjetër ide, është sponsorizimi i tyre nga komuniteti, ose nga aktivistët e kishës. Familja e Jong Parksit pëlqen këtë mënyrë.

Ndihmës sekretari për imigracionin John Morton shpjegon se si mund të funksionojnë këto alternativa.

Do të jetë një organizatë e besuar dhe e respektuar e komunitetit, e gatshme për të deklaruar që ky person të marrë pjesë në seancat e gjyqit dhe në se humbçështjen, të garantojë që do të largohet menjëherë nga vendi.

Por këtë ide nuk e mbështet Dan Stein i Federatës për Reformën e Imigracionit, FAIR.

Ne e dimë se çështja do të përfundojnë me vendosjen e imigrantëve nëpër hotele Hilton, Holiday Inn dhe në ambjente, që në një farë mënyre krijojnë stimuj për të qëndruar këtu, duke u përpjekur për të fituar drejtën që të qëndrojnë, edhe pa qenë rast i veçantë.

Zoti Stein po ashtu shqetësohet se alternativat e reja do t’u jepnin imigranëve mundësinë për t’u zhdukur para datës së gjyqit. Por....

"Unë nuk kam për t’u larguar, dua të rri me familjen. Por unë nuk jam vrasëse dhe as hajdute", - thotë Jong Park.

Në vitin 2005, pas disa javësh në burg, Sandra Kenley vdiq në të njëjtin burg që ndodhet sot Jong Park.

Den Stein thotë se përgjigje për këtë është deportimi më i shpejtë i imigrantëve.

Njerëzit vijnë këtu si vizitorë. Në se e shkelin vizën dhe i urdhërojnë për deportim, ata mund të kthehen menjëherë në vendin e tyre. Askush nuk mbahet në burg me detyrim. Ata mund të largohen nga vendi kur të duan.

Por një adoleshente shpreson që kjo të mos ndodhë. Ajo është vajza e Jong Parksit, 14 vjeçarja Soobin.

"E ndjejmë shumë mungesën e mamit. Askush nuk e zëvendëson dot atë, shtëpia na ngjan bosh pa të."

Tani për tani, Soobin përpiqet të përqëndohet tek mësimet, me mendimin se javën e ardhshme ajo do të takohet për 20 minuta me të jëmën, por me një mur ndarës... //ii

XS
SM
MD
LG