Lidhje

Pekin: Takimi Obama-Hu mbyllet me deklarata bashkëpunimi


Një takim kino-amerikan i nivelit të lartë në Pekin u mbyll pa ndonjë arritje të madhe por me deklarata për bashkëpunim nga udhëheqësit e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Obama pati disa orë bisedime me dyer të mbyllura në kryeqytetin kinez me homologun e tij Hu Gjin Tao.

Presidenti Obama vizitoi Qytetin e Ndaluar, një muze nga e kaluara e lashtë e Kinës. U përqendrua gjithashtu tek sfidat e të sotmes. Bisedimet e tij me udhëheqësin kinez zgjatën me orë të tëra. Ndonjë arritje e madhe nuk u shënua por thjesht udhëheqësit u shprehën për vazhdimin e procesit.

Presidenti Hu tha se ata biseduan për shumë çështje, nga ekonomia globale tek mospërhapja e armëve bërthamore dhe ndryshimet e klimës.

"Ne arritëm përparim duke theksuar nevojën për veprime konkrete në përgjigje të sfidave të përbashkëta," tha zoti Hu.

Presidenti Obama tha se bashkëpunimi mes Amerikës dhe Kinës nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm.

"Prandaj edhe Shtetet e Bashkuara i përshëndesin përpjekjet e Kinës për të luajtur një rol më të madh në arenën botërore, rol në të cilin një ekonomi në rritje shoqërohet me përgjegjësi në rritje."

Zoti Obama tha se partneriteti i Kinës është me rëndësi të madhe për t’i dhënë fund recesionit të tanishëm global dhe për të pakësuar ngrohjen globale. Ai foli edhe për nevojën e bashkëpunimit në çështjen e Iranit, Koresë së Veriut dhe ambicieve të tyre bërthamore. Kina ka luajtur rol kyç në bisedimet me Korenë e Veriut, madje para bisedimeve në Pekin pati shenja se Presidenti Obama do të kërkonte ndihmën e Kinës për shtimin e presionit ndaj Teheranit.

"Irani ka një shans për të demonstruar synimet e tij paqësore por nëse nuk e shfrytëzon këtë rast, atëhere nuk do të mungojnë pasojat,” tha Presidenti Obama.

Por duke vlerësuar të mirat e marrëdhënieve me Pekinin, zoti Obama e bëri të qartë se kur ka mosmarrëveshje, ai nuk do të rrijë pa i venë në dukje. Ai foli për të drejtat e njeriut dhe sidomos për Tibetin.

"Ndonëse ne e pranojmë se Tibeti është pjesë e Republikës Popullore të Kinës, Shtetet e Bashkuara janë për rifillimin sa më parë të dialogut mes qeverisë kineze dhe përfaqësuesve të Dalai Lamës për të zgjidhur çdo shqetësim apo mosmarrëveshje që mund të kenë palët."

Dy udhëheqësit nuk pranuan pyetje nga gazetarët pas bisedimeve të tyre. Zoti Obama e përfundon vizitën në Kinë të mërkurën.//ii

XS
SM
MD
LG