Lidhje

BE-Rusi, takim i nivelit te lartë në Suedi


Udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe të Rusisë po zhvillojnë bisedime në Suedi për të zgjidhur mosmarrëveshjet në çështje si energjia, ndryshimi i klimës, tregtia dhe të drejtat e njeriut. Të dyja palët shpresojnë se bisedimet në Stokholm do të përmirësojnë marrëdhëniet dypalëshe, të cilat u keqësuan pas luftës së Rusisë me Gjeorgjinë vitin e kaluar. Marrëdhëniet u keqësuan më tej kur Moska ndërpreu furnizimin me gaz të Ukrainës për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çmimet.

Presidenti rus Dmitri Medvedev e mirëpriti vendimin e qeverisë suesdeze për të miratuar ndërtimin e një gazjellësi që do të lidhte Rusinë dhe Gjermaninë nën Detin Balltik dhe që ka ngjallur debate. Presidenti rus thotë se projekti Nord Stream ka rëndësi kyçe për të garantuar furnizimin e pandërprerë me gaz të Europës. Gazsjellësi duhet të marrë miratimin e Suedisë, Finlandës dhe Danimarkës, ku ai ka hasur në kundërshtime për shkak të shqetësimeve mbi mjedisin dhe sigurinë.

Ndërkohë takimi i nivelit të lartë në Suedi është errësuar nga shqetësimet se ndërprerja e furnizimit me gaz të Europës nga Rusia mund të përsëritet. Pjesa më e madhe e gazit rus që furnizon Europën kalon nga Ukraina dhe përplasjet mes Rusisë dhe Ukrainës për çështjen e gazit vazhdojnë.

Komisioneri i Bashkimit Europian për Energjinë, Andris Piebalgs, i cili të hënën nënshkroi në Moskë një marrëveshje me Rusinë për një mekanizëm të paralajmërimit të hershëm, u shpreh se po bëhen përpjekje që kriza të tilla të furnizimit me gaz të shmangen.

“Mendoj se është e rëndësishme vendosja e këtij mekanizmi për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me gaz dhe që u shkon gjërave në themel.”

Bashkimi Europian i cili përfaqëson më shumë se 500 milion njerëz, është partneri më i madh tregtar i Rusisë. Bashkimi po përpiqet ndërkohë të bindë Rusinë të bëjë më shumë në luftën kundër ngrohjes globale dhe kërkon më tepër qartësi nga Moska rreth planeve të saj për t’u anëtarësuar në Organizatën Botërore të Tregtisë. Kryeministri Vladimir Putin ka deklaruar se vendi do të marrë pjesë në këtë organizatë vetëm si një Bashkim Doganor me Bjellorusinë dhe Kazakistanin. //rd//

XS
SM
MD
LG