Lidhje

Sekretarja Klinton në Kabul


Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton u bëri thirrje zyrtarëve afganë të luftojnë korrupsionin dhe të rrisin përgjegjshmërinë në qeverisje.

Ajo i bëri komentet gjatë vizitës së saj të parë në Afganistan si Sekretare e Shtetit, në prag të inaugurimit të Presidentit Hamid Karzai.

Zonja Klinton pritet të marrë pjesë së bashku me personalitete të tjera të huaja dhe afgane në ceremoninë e betimit të Presidentit që do të mbahet nesër në Kabul.

Zonja Klinton u tha gazetarëve që udhëtonin me të se fillimi i mandatit të ri pesëvjeçar të zotit Karzai është një shans për udhëheqësit afganë që ata të bëjnë një kontratë të re me popullin afgan dhe të demonstrojnë përmirësim të qeverisjes.

Me rastin e inaugurimit, autoritetet afgane kanë mobilizuar forca të mëdha sigurie në Kabul. Vetë inaugurimi do të jetë një ceremoni private që do të mbahet brenda pallatit presidencial por nuk pritet të zhvillohet ndonjë ceremoni e madhe publike.

Fuqitë perëndimore po e vëzhgojnë me kujdes presidentin Karzai për të parë se sa serioz është ai në deklaratat se do të luftojë korrupsionin galopant brenda qeverisë së tij.

Presidenti Barak Obama tha në prag të inaugurimit të zotit Karzai se ai është më pak i shqetësuar për besueshmërinë e një njeriu të vetëm se sa për besueshmërinë e qeverisë në tërësi.

XS
SM
MD
LG