Lidhje

Presidenti afgan Karzai bën betimin për një mandat të dytë


Presidenti afgan Hamid Karzai deklaroi se do të luftojë korrupsionin qeveritar në ceremoninë e betimit për një mandat të dytë pesëvjeçar.

Pas betimit që u zhvillua nën masa të rrepta sigurie në Kabul, zyrtarët afganë thanë se një shpërthim vetvrasës në jug të vendit shkaktoi vdekjen e të paktën 10 personave civilë dhe plagosjen e 13 të tjerëve. Nga një shpërthim i dytë në provincën Zabul u vranë dy ushtarë amerikanë.

Gjatë ceremonisë së betimit në Pallatin presidencial, Presidenti Karzai deklaroi se do të luftojë korrupsionin, do të shtojë forcat afgane të sigurisë dhe do të frenojë trafikun e drogës.

Zoti Karzai vazhdon të jetë nën trysninë e madhe të Perëndimit për të luftuar korrupsionin dhe rritur nivelin e përgjegjshmërisë së qeverisë. Duke folur para personaliteteve të huaja dhe afgane, ai premtoi se do të zgjedhë ministra kompetentë dhe ekspertë si dhe deklaroi se do të marrë masa kundër atyre që shkelin ligjet dhe kushtetutën e vendit.

Presidenti Karzai tha se një përparësi tjetër për qeverinë do të jetë transferimi i rolit drejtues në çështjet e sigurisë, nga forcat ndërkombëtare te ushtria afgane. Ai tha se shpreson që brenda 5 vjetëve forcat afgane do të jenë të afta të drejtojnë të gjitha operacionet e sigurisë.

Presidenti Karzai shprehu besim se problemi i terrorizmit ndërkombëtar në Afganistan do të zgjidhet. /ii

XS
SM
MD
LG