Lidhje

Kosovë: PDK dhe LDK thonë se  vazhdojnë bashkëqeverisjen


Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës thanë sot se do të vazhdojnë bashkëqeverisjen e tyre, me gjithë qëndrimet kundërthënëse të natës që lamë pas e të cilat lanë pas vetes dyshimet mbi funksionimin e mëtejshëm të këtij koalicioni.

Në një komunikatë për opinion të Partisë Demokratike, thuhet se ajo mbetet fuqimisht e përkushtuar për stabilitetin funksional të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës dhe procesin e shtet ndërtimit.

"Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të lira, fer dhe demokratike dhe me gjithëpërfshirje, nuk do te mund të ndikojnë në funksionimin e mirë të institucioneve qendrore: Parlamentit, Presidentit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Partneriteti i koalicionit në nivel qendror mbetet i konsoliduar dhe i pacenueshëm e funksional, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe marrëveshjen e koalicionit deri në zgjedhjet nacionale të vitit 2011", thuhet në komunikatën e Partisë Demokratike duke nënvizuar se kjo parti "do të vazhdojë përkushtimin në filozofinë e shtet ndërtimit dhe unitetit në prag të procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe pritjes së njohjeve të reja dhe proceseve integruese euro-atlantike".

Në një frymë të ngjashme ishte edhe një deklaratë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në të cilën thuhet se kjo parti synim parësor e ka qëndrueshmërinë e vendit. Në deklaratë thuhej se

"Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit kanë dhënë një provë të fuqishme të pjekurisë dhe demokracisë në Kosovë në të cilën LDK-ja ka dhënë kontribut madhor., thuhej në deklaratë. LDK-ja në balotazh do të krijojë partnerë të ndryshëm lokalë sipas specifikave të secilës komunë. Në të njëjtën kohë, LDK-ja do të vazhdojë të angazhohet me përgjegjësi për funksionimin dhe zbatimin e obligimeve shtetërore që dalin nga partneriteti në nivel qendror, e që është e rëndësisë parësore për funksionimin e institucioneve qendrore shtetërore të Republikës së Kosovës, presidencës, parlamentit dhe qeverisë, në pajtim me kushtetutën dhe ligjin", përfundon deklarata e Lidhjes Demokratike..

Mbrëmë, Partia Demokratike e Kosovës, paralajmëroi siç thuhej, se do të "rishqyrtojë ose të ri formatizojë koalicionin qeverisës në nivel qendror". Nënkryetari i kësaj partie, Hajredin Kuqi tha mbrëmë se kjo ishte rrjedhojë e "shkeljes së marrëveshjes nga ana e Lidhjes Demokratike që secila parti të dalë e vetme në zgjedhjet lokale".

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ramë Manaj, tha se për këtë vendim të partnerit të koalicionit është njoftuar shkurt nëpërmjet telefonit nga kolegu i tij Hajredin Kuqi.

Zhvillimet e orëve të fundit duket se ishin pasojë e marrëveshjeve ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në disa komuna të Kosovës për bashkëpunim në raundin e dytë të zgjedhjeve për pushtetin komunal, aty ku dy partnerët e koalicionit konkurrojnë me njëri tjetrin.

Mundësitë për lëkundje në koalicionin qeverisës janë diskutuar edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e 15 nëntorit e cila është përshkuar nga një gjuhë e ashpër ndërmjet partnerëve të koalicionit. //kk//

XS
SM
MD
LG