Lidhje

Oprah mbyll programin në 2011, do të krijojë kanalin e saj


Miliarderja e televizionit amerikan Oprah Winfrey pritet të njoftojë sonte zyrtarisht se ajo do të largohet nga roli si prezantuese e programit të përditshëm që mban emrin e saj dhe do të krijojë kanalin e saj televiziv me kabllo.

Për disa rrjete të mëdha televizive të Amerikës, si CBS dhe ABC, largimi i Oprah Winfrey-t nënkupton miliona dollarë të humbur sepse programi i saj i përditshëm ndiqet nga shumë e shumë njerëz në Amerikë.

Popullariteti që gëzon emisioni i saj i pasdites i ndihmon këto rrjete televizive të kenë sukses edhe me programet e mbrëmjes. Oprah ka dy dekada që është e njohur në industrinë televizive duke u kthyer tashmë në një figurë kulturore të Amerikës. Përveç programit televiziv, ajo ka në pronësi edhe një revistë mjaft popullore, një klub libri si dhe ka realizuar një numër filmash.

Mbështetja që ajo i dha zotit Barak Obama vitin e kaluar mendohet se pati rëndësi kritike për zgjedhjen e tij si president. Ende nuk është e qartë nëse Oprah do të vazhdojë të shfaqet para kamerave kur të fillojë kanalin e saj televiziv në janar të vitit 2011.

Ka qenë Oprah Winfrey e cila realizoi në vitin 1993 intervistën e famshme me Majkëll Xheksonin, intervista më e shikuar në historinë e televizionit. Ajo u pa nga 62 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe pothuajse 100 milion jashtë Amerikës.

XS
SM
MD
LG