Lidhje

Rritet numri i vetvrasjeve në ushtrinë amerikane


Numri i vetvrasjeve në ushtrinë amerikane po arrin nivele rekord. Sipas Pentagonit, deri më 16 nëntor, numri i ushtarëve në detyrë aktive që vranë veten këtë vit arriti në 140, ndërsa i ushtarëve jo të mobilizuar, ishte 71. Zyrtarët ushtarakë parashikojnë se niveli i vetvrasjeve deri në fund të vitit me siguri do ta kalojë totalin e vitit 2008. Për shkak të këtyre shqetësimeve, ushtria amerikane ka ndërmarrë një studim rreth shkaqeve të vetvrasjeve. Materiali i mëposhtëm na njeh me një nënë e cila humbi të birin që kreu vetvrasje.

Ai quhej Thomas John Sweet, por të gjithë e thërrisnin "TJ."

Kur ishte fëmijë, ai i kishte shumë qejf armët dhe ushtarët lodra. Ëndrra e tij për t'u bërë ushtar i vërtetë u realizua kur menjëherë pasi mbaroi shkollën, ai u rekrutua në radhët e këmbësorisë.

Nëna e tij, Liz Sweet, kishte shqetësime. TJ, thoshte ajo, është diagnostikuar me sëmundje në zemër, me shpërqendrim të vemendjes dhe me probleme në të shkruar. Ajo thotë:

"Nuk mendoja se do ta merrnin në ushtri. Por njeriu që rekrutonte tha se kjo nuk ishte fare problem sepse mund t'i justifikonte këto me një raport mjekësor."

TJ u mësua me jetën e ushtrisë dhe i pëlqente stërvitja. Nënës i shkruante se vendi i tij ishte në ushtri.

Por kur TJ u dërgua në Irak në shtator 2003, lufta filloi t'i krijonte probleme mendore.

Liz Sweet tregon se familja mori vetëm katër letra prej tij gjatë kohës kur ai ishte ende gjallë.

Në letrën e parafundit, ai kërkonte ilaçe sepse vemendja e tij ishte tepër e shpërqendruar.

"Para se të bëja ndonjë gjë, ai kishte vdekur,"
tregon Liz.

Ajo thotë se një rreshter i ushtrisë e kishte akuzuar TJ-n se fliste pa edukatë.

"Rreshteri e kishte urdhëruar të zbriste nga kamioni dhe të bënte pompa në baltë. Pastaj i kishte thënë se mendja e ushtarit nuk ishte në rregull, siç e kërkonte detyra prandaj duhet të kthehej në kazermë."

Liz Sweet tregon se raportet më pas tregonin se TJ ishte urdhëruar të shkonte në kazermat ku zakonisht dërgoheshin ushtarët që ndëshkoheshin nga eprorët.

"Rreshteri i togës së tij më pas e hoqi nga detyra dhe pas 5 minutash u dëgjua një e shtënë. Askush nuk ndodhej aty pranë por trupi i tij u gjet në një shkallë jashtë kazermës."

TJ kishte vetëm dy muaj në Irak. Ai e vrau veten Ditën e Falenderimeve, më 27 nëntor 2003.

Ashtu si ushtarët e tjerë që humbin jetën në zona lufte, edhe trupi i TJ-t u soll në bazën ajrore të Doverit në Delaware, për t'u varrosur më pas në qytetin e tij.
Pas disa ditësh, familja u njoftua se fjala ishte për një vetvrasje.
Nëna e TJ beson se ushtria nuk u kushtoi rëndësi shenjave paralajmëruese se djali i saj ishte i sëmurë mendor.

Liz Sweet thotë se raportet e mëvonëshme tregonin se ushtria nuk zbatoi procedurat e duhura kur TJ filloi të shprehë shqetësime për shëndetin e tij mendor në anketën e ushtrisë.

"Atij nuk iu bë ndonjë kontroll. Komandanti i tij nuk u njoftua fare po kështu edhe të tjerët."
- thotë Liz - "Atij i duhej marrë arma por kjo nuk u bë."


Zëri i Amerikës kontaktoi zyrtarët e ushtrisë për reagime ndaj komenteve të nënës së ushtarit të vetvrarë.

Një zëdhënës i ushtrisë tha se është e domosdoshme që oficerët, të cilët i njohin ushtarët e tyre, të cilët e dinë kur një ushtar ka shqetësime, të marrin masa për t'i dhënë atij ushtari ndihmën për të cilën ai ka nevojë.

Gjeneralja Colleen McGuire kryeson grupin që merret me parandalimin e vetvrasjeve në ushtri, grup i cili ka kërkuar të ndërmerret studimi. Ajo e pranon se është e nevojshme të bëhen ndryshime sa nuk është vonë në mënyrën e vlerësimit psiqik të ushtarëve:


"Shumë komandantë nuk marrin masa që ushtarëve t'u jepet ndihmë sepse ndoshta ata kanë nevojë që ushtarët e tyre të dërgohen në detyra në terren."

Ose ushtari ka frikë se mos poshtërohet nga shokët kur kërkon ndihmë për një problem personal.

Zëvendës shefi i shtabit të ushtrisë, Gjeneral Peter Chiarelli e ka quajtur të tmerrshëm nivelin e vetvrasjeve.

"Është krejtësisht e papranueshme që njeriu të vuajë në heshtje nga frika se mos shokët apo eprorët tallen me ta apo nga shqetësimi se kjo mund të ndikojë në karrierën e tyre të ardhshme."

Ekspertët thonë se konfliktet familjare apo të punës mund të rrisin rrezikun e vetvrasjeve për të gjithë ata që kanë shenja depresioni.

Psikiatri Robert Ursano i Universitetit të Shërbimeve me Uniformë, është shef i hetimeve për studimin mbi vetvrasjet. Ai thotë:

"Ka jashtëzakonisht shumë rëndësi që anëtarët e familjes të vëzhgojnë për ndonjë shenjë depresioni, sepse depresioni është ndoshta treguesi kryesor i vetvrasjeve."

Por kur shenjat e vetvrasjeve nuk merren seriozisht, familje si ajo e Lizit, pyesin veten se ç'mund të kishin bërë për të parandaluar vetvrasjen.

"Nuk e di se ç'farë mund të kisha bërë më tepër kur ai ishte i vogël që ai ta ndjente veten i sigurt dhe të kishte forcë për të më thënë se ky dëshpërim që kam në shpirt, kjo dhimbje do të më kalojë, se unë jam në gjendje ta kapërcej këtë gjendje." - thotë ajo.
Liz Sweet shpreson se duke folur hapur për vetvrasjen e birit të saj, ajo mund të ndihmojë edhe të tjerët që të mos pësojnë të njëjtin fat. //mm//


XS
SM
MD
LG