Lidhje

Iran, manovra ajrore për mbrojtjen e impianteve bërthamore

  • Elizabeth Arrot

Irani ka filluar një stërvitje ushtarake që simulon mbrojtjen kundër sulmeve ndaj strukturave bërthamore të vendit. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk e kanë përjashtuar alternativë ushtarake nëse negociatat mbi programin bërthamor të Iranit dështojnë.

Një zyrtar i lartë i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike nuk i dha rëndësi mundësisë së kërcënimit të një sulmi izraelit kundër vendit.

Dje duke folur mbi ditën e parë të stërvitjeve, gjenerali Amir Ali Hajizadeh tha se edhe nëse aeroplanët luftarakë të Izraelit i shmangen mbrojtjes iraniane, Irani do të shkatërronte bazat ajrore izraelite duke përdorur raketat tokë-tokë.

Stërvitjet pesë ditore të mbrojtjes ajrore janë masive dhe mbulojnë një sipërfaqe prej gjysmë milioni kilometrash katërorë. Zyrtarët thonë se ushtria po teston sistemin e ri të armëve dhe po vë në provë nëse linjat e komunikimit mund t’i rezistojnë luftës elektronike.

Mediat iraniane i dhanë një mbulim të veçantë kësaj stërvitje, që ushtria thotë se është një nga stërvitjet më të mëdha që është zhvilluar ndonjëherë.

Stërvitjet përkojnë me rritjen e tensioneve mbi një marrëveshje për lehtësimin e shqetësimeve të perëndimit se Irani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore, akuzë që Teherani e mohon. Zyrtarët iranianë kanë ngritur kundërshtimet e tyre për ofertën e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike për pasurimin e uraniumit jashtë vendit.

Fuqitë botërore po shqyrtojnë masa më të forta përfshirë zgjerimin e sanksioneve për të detyruar Iranin të bindet.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e kanë lënë të hapur mundësinë e një sulmi kundër strukturave bërthamore të Iranit nëse çështja në fjalë nuk zgjidhet.

Në Kairo presidenti izraelit Shimon Perez e hodhi poshtë idenë se ulja e tensioneve varet nga rënia dakord e vendit të tij për të nënshkruar Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Ka dyshime të forta se Izraeli posedon armë bërthamore.

“Izraeli thotë se ne nuk duhet të fusim armë bërthamore në Lindjen e Mesme. Dhe unë e di që dyshimet ekzistojnë, por nëse këto dyshime ndihmojnë në shtyrjen e luftë, atëherë le të dyshojnë. Ne nuk kërcënojmë askënd. Ne nuk jemi armiqë të askujt. Iranianët nuk janë armiku ynë. Ne jemi kundër udhëheqjes së tanishme të Iranit, që është shumë agresive dhe mohon holokaustin dhe publikisht duan ta fshijnë Izraelin nga harta.”

Zoti Perez vuri në dukje se megjithëse Irani e ka nënshkruar traktatin për mospërhapjen e armëve bërthamore ky veprim nuk ka asnjë vlerë. //bsa//

XS
SM
MD
LG