Lidhje

Komunikimet satelitore në ndihmë të operacioneve të kërkim shpëtimit


GPS-et, mjetet për identifikimin e koordinatave po bëhen në kohën tonë diçka e zakonshme për t’u orientuar gjatë udhëtimit. Por pak nga ne i mendojmë këto pajisje të tilla si mjete për shpëtim jetësh. Falë një rrjeti të sofistikuar satelitor tani kushdo në Shtetet e Bashkuara mund të blejë një pajisje të thjeshtë për raste emergjencash.

Pajisja është shumë popullore për alpinistë në zona të largëta, anije në det të hapur, apo avionë e helikopterë. Në rast nevoje, ajo i dërgon sinjal satelitit, i cili përcillet në një qendër përpunimi, nga ku analizohet situata emergjente dhe merret masa për shpëtim.

Kjo teknologji moderne ka frymëzuar shkencëtarin nga Kosova, Dr. Shkelzen Cakaj që të punojë për ngritjen e një qendre të ngjashme në Kosovë.

Mijëra sinjale satelitore analizohen çdo ditë në Administratës Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën pranë Uashingtonit nga një armatë me mbi 500 shkencëtarë e teknikë që punojnë në këtë objekt. Synimi kryesor i operacioneve janë parashikimet e motit, por këto aparatura të sofistikuara analizojnë edhe sinjale alarmi SOS që vijnë nga avionë, anije apo individë në rrezik.

Kohët e fundit këtij komuniteti shkencëtar i është bashkuar edhe inxhinieri nga Kosova, Dr. Shkelzen Cakaj, i angazhuar në studimin e operacioneve kërkim-shpëtim. Dr. Cakaj ka ardhur këtu me një objektiv ambicioz– të krijojë në Kosovë një stacion të ngjashëm për identifikimin e situatave emergjente.

Në botë ka gjithsej 45 stacione të tilla që shfrytëzojnë sinjalet SOS të emergjencave që vijnë nga sateliti dhe përcaktojnë koordinatat fizike të objektit apo individid që kërkon ndihmë. Përse jo edhe në Kosovë, thotë Dr. Cakaj:

“Duke konsideruar që Kosova mund të afirmohet jo vetëm përmes rrugës politike, por mund të afirmohet edhe duke u involvuar në asocacione të ndryshme humanitare dhe shkencore, ideja ime ka qenë themelimi i një stacioni të tillë tokësor në Kosovë, i cili do t’i evidentonte të gjitha fatkeqësitë e kësaj natyre kudo që ndodhin dhe merr informata prej satelitit me shumë saktësi.”

Ideja e shkencëtarit është që që Kosova të ketë një stacion që do të analizonte të dhënat për shpëtim-kërkim që ofrohen falas nga një konsorcium ndër-qeveritar i themeluar nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Franca dhe Rusia.

Vetë ndërtimi dhe pajisja e stacionit të analizimit të sinjaleve satelitore do të kishte një kosto prej 500-600 mijë eurosh, një çmim i vogël përballë vlerës së një operacioni të tillë për shpëtim jetësh, thotë shkencëtari. Kosova, thotë zoti Cakaj ka aktualisht plot forca ndërkombëtare të specializuara për kërkim-shpëtim.

“Prezenca e KFOR-it, prezenca e NATO-s në Kosovë e përgatitur jashtëzakonisht mirë për intervenime të shpejta, do të ndihmonte që këto dy komponente do të krijonin një simbiozë, që ne të kemi informata të shpejta.”- thotë ai

Bazuar në një skenar kompiuterik, shkencëtari mendon se ngritja e një qendre të tillë do t’i ndihmonte në zgjidhjen e situatave emergjente edhe në vende fqinje:

“Jemi dëshmitarë të disa rasteve kur për shembull në Adriatik kemi pasur fatkeqësi të ndryshme, kur vendndodhja nuk ka qenë e mundur të caktohet, së paku jo shumë shpejt. Prandaj themelimi i një stacioni të tillë dhe pajisja e anijeve dhe aeroplanëve me instrumentë të tillë do të ndihmonte në shkurtimin e kohës së identifikimit të fatkeqësive.”

"Ja kjo është ideja e funksionimit të sistemit. Kemi një anije në fundosje, kemi një aeroplan që ka pësuar fatkeqësi. Kemi individin, i cili ka arritur të shpëtojë dhe e bart me vete pajisjen me të cilin dërgon sinjale kah sateliti…”

Operacionet mbështeten në një koncept të thjeshtë, që të gjitha mjetet e fluturimit apo lundrimit, biles edhe individët që lëvizin në mjedise të rrezikshme, të pajisen me një instrument sinjalizues, i cili në rastet e fatkeqësisë aktivizohet qoftë automatikisht, qoftë manualisht nga personat në vend-ndhodhjen e fatkeqësisë.

Ai sinjal drejtohet nga sateliti, i cili e percepton atë sinjal dhe më pas përpunon koordinatat që ka fatkeqësia.

Një aparat i vogël dore, një insfrastrukturë e sofistikuar falas dhe stacione të tilla për analizimin e të dhënave që kanë shpëtuar mbi 20 mijë jetë njerëzish në botë. Tani, një shkencëtar shqiptar synon që ky sistem të bëhet një ditë realitet edhe për Kosovën.//mm//

XS
SM
MD
LG