Lidhje

OSBE tërheq vëmendje për dhunën ndaj individit në Kosovë


Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ka tërhequr vëmendjen sot se sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e individëve nga dhuna dhe abuzimet. Ky përfundim ka dalë nga një raport i kësaj organizate mbi rastet e dhunës në familje.

Në këtë raport që është rezultat i një monitorimi dyvjeçar të procedurave gjyqësore që përfshijnë rastet e tilla të dhunës, shprehen shqetësime lidhur me zvarritjet e paligjshme të seancave gjyqësore dhe qasjen ndaj procedurave për sigurimin e mbrojtjes së viktimave dhe mangësi të tjera.

Zyrtarë të kësaj organizate thanë se shumica e viktimave të dhunës në familje janë gra dhe fëmijë, ndërsa sistemi i gjyqësisë në Kosovë ka një rol jetësor në mbrojtjen e sigurisë dhe integritetit personal të viktimave të dhunës në familje dhe duhet të luajë një rol më aktiv.

“Dhuna në familje nuk është vetëm çështje private – nuk duhet të mbetet vetëm brenda familjes dhe askush të mos guxoj të flasë për të. Është çështje shqetësuese për publikun. Ne duhet të flasim për këtë dhe të luftojmë këtë krim të rëndë”, ka deklaruar me këtë rast, zëvendësshefi i OSBE-së, Marku Laamanen.

Raporti u publikua me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Kundër Grave, që shënon edhe fillimin e një fushate 16 ditëshe të veprimtarive kundër dhunës në baza gjinore.

Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, gjysma e rasteve të dhunës që paraqiten në polici janë pasojë e dhunës ndaj gruas dhe më së shpeshti raste të dhunës në familje. Ndonëse policia thotë se është shënuar një rënie e lehtë e numrit të rasteve të dhunës, veprimtarët humanitarë tërheqin vërejtjen se numri i grave që kërkojnë ndihmë për shkak të dhunës nuk ka pësuar ndryshim.//rd//

XS
SM
MD
LG