Lidhje

Informacionet jo të sakta dëmtojnë vaksinimin kundër H1N1 në Evropë


Një shoqatë mjekësore evropiane ka shprehur shqetësim në kundërshtimin e gjerë në Evropë kundër vaksinës së gripit të derrave. Ndërkohë, korrespondentja e Zërit të Amerikës Lisa Brajant njofton nga Parisi se ekspertët thonë se numri i vdekjeve nga virusi H1N1 në Evropë është po dyfishohet çdo dy javë.

Shqetësimet se evropianët po e injorojnë vaksinimin kundër virusit H1N1 u ngritën këtë javë nga Shoqata Evropiane për Mikrobiologjinë Klinike dhe Sëmundjet Infektive. Organizata zvicerane jofitimprurëse thotë se ndërkohë që vendet evropiane kanë filluar fushatat e tyre të vaksinimit, ata po përballen me kundërshtimin e lobistëve kundër vaksinimit. Kjo organizatë thotë se disa nga këto grupe po përhapin me qëllim informacione të gabuara. Xhuzepe Kornalia është ish president i kësaj shoqate.

“Kemi prova të qarta nga shumica e vendeve në Evropë ku njerëzit, duke përfshirë doktorët, profesionistët e shëndetësisë etj. po hedhin dyshime mbi sigurinë e vaksinës. Ata janë të shqetësuar për mundësinë e efekteve anësore, nga ato që dëgjojnë nga miqtë e tyre dhe nga interneti, sepse nuk kanë ndonjë burim zyrtar. Ata pretendojnë se nevoja për t’u vaksinuar nuk është aq e madhe sa të ketë vlerë që të rrezikosh.”

Në Francë, ku fushata e vaksinimit në shkollat publike filloi të mërkurën, një anketë e kohëve të fundit tregonte se vetëm 21 përqind e francezëve thonin se kishin në plan të vaksinoheshin.

Skepticizmi evropian mbi vaksinën vjen ndërkohë që Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve me bazë në Stokholm njoftoi se numri i vdekjeve në Evropë nga virusi H1N1 është dyfishuar çdo dy javë që nga mesi i tetorit. Gjithsej, rreth 670 vdekje janë njoftuar në Evropë që nga mesi i prillit.

Zoti Kornalia nga shoqata e Mikrobiologjisë thotë se doktorët dhe autoritetet e shëndetësisë duhet të bëjnë fushatë më të fuqishme për të përhapur informacionin e saktë për vaksinën.

“Nëse autoritetet nuk janë në gjendje të bindin doktorët dhe nëse doktorët nuk i këshillojnë pacientët e tyre atëherë beteja është e humbur. Transmetimi i mesazhit nuk është efikas dhe problemi ka të ngjarë të jetë pikërisht tek informacioni joefikas.”

Nëse fushata e vaksinimit dështon në Evropë, kjo shoqatë thotë se pandemia e gripit të derrave mund të përhapet edhe më shumë dhe të shkaktojë më shumë vdekje, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë. //bsa//

XS
SM
MD
LG