Lidhje

Problemet financiare në Dubai shkaktojnë frikë te investitorët


Nga ekonomia globale vazhdojnë shenjat e këqia. Dubai, me një ekonomi e cila dikur ishte zilia e vendeve të Gjirit, i ka kërkuar kreditorëve një shtyrje në pagesën e huave të tij që kapin 60 miliard dollarë. Njoftimi i bërë nga ky emirat i pasur në naftë ka ngjallur frikën e një krize të dytë financiare si ajo që filloi në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar. Kjo u pasqyrua edhe në rënien e bursave botërore.

Dubai, kjo parajsë e shkretëtirës, e famshme për një ishul artificial në formë palme, për rezortet e skive dhe për kullën më të lartë të botës, është goditur rëndë nga recesioni global.

Çmimet e ndërtesave kanë rënë rreth 50% gjatë vitit të shkuar. Pushimet në masë nga puna për shkak të anulimit të projekteve kanë çuar në një eksod të punëtorëve të huaj.

Të enjten, pasiguritë rreth shëndetit ekonomik të Dubait tronditën tregjet botërore, kur kompania shtetërore e investimeve Dubai World, kërkoi një shtyrje prej 6 muajsh për pagimin e borxhit prej 60 miliard dollarësh.

Kamel Wazne, ekonomist në Universitetin amerikan të Bejrutit, thotë se kërkesa nuk ishte e papritur. Ai tërheq vemendjen që tregjet të mos reagojnë në mënyrë të tepruar.

"Në këtë klimë vështirësish financiare, ajo që po bën Dubai, është bërë nga shumë vende të tjera të botës."

Por në Europë, problemet e Dubait bënë që treguesit e bursës në Britani, Gjermani dhe Francë fillimisht të binin më se 3 përqind.

Më pas bursat e morën veten, pasi analistët nuk i vunë rëndësi ndikimit afatgjatë. Oliver Roth, është ekspert në bursën e Frankfurtit.

"Ajo që ne dimë është se bankat me bazë në Dubai janë kreditoret më të mëdha të firmës Dubai World pra të paktën tani për tani nuk besohet se kjo do të ketë ndonjë efekt të madh mbi bankat europiane apo ato amerikane."

Megjithatë, pasojat vazhduan në Azi, ku treguesit kryesorë në Hong Kong dhe në Korenë e Jugut ranë 5%. Ndërkohë, dollari amerikan ra në nivelin më të ulët të 14 viteve kundrejt jenit japonez për shkak se investitorët u përpoqën të blejnë monedha sa më të sigurta.

"Nuk ka dyshim se kjo është një lëvizje anormale,"
thotë ministri japonez i financave, Hirohisa Fuji i cili premtoi se do të merren masat e duhura nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Një jen i fortë i bën eksportet japoneze më pak konkurruese në tregjet botërore.

Megjithëse dollari e mori më pas veten, analistët thonë se shqetësimet rreth pamundësisë së Dubait për të shlyer borxhet mund të krijojnë një reaksion zinxhir në të gjithë botën.

Dhe kjo, thonë analistët, mund t’i bëjë bankat më të kujdesshme në dhënien e kredive të reja, duke e ngadalësuar më tej rimëkëmbjen ekonomike. //ii

XS
SM
MD
LG