Lidhje

Shtypi iranian: Qeveria do të ndërtojë 10 impiante të reja për pasurimin e uraniumit


Shtypi shtetëror iranian njofton se qeveria ka në plan të ndërtojë 10 impiante të reja për pasurimin e uraniumit, të ngjashme me objektin kryesor të pasurimit në Natanz.

Sipas shtypit shtetëror, 5 vende ku do të ngrihen objektet e reja janë përcaktuar dhe Agjencia për Energjinë Atomike e Iranit është udhëzuar të gjejë edhe 5 vende të tjera.

Njoftimi i qeverisë iraniane për zgjerimin e programit të vet bërthamor bëhet ndërsa fuqitë ndërkombëtare dhe agjencia bërthamore e OKB-së, po përpiqen ta bindin Iranin të kufizojë programin për pasurimin e uraniumit.

Të djelën, parlameti i Iranit i bëri thirrje qeverisë që të pakësonte bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

Kryetari i parlamentit Ali Larixhani tha në parlament se trysnia nga vende të tjera, është siç u shpreh ai, “një lojë e vjetër dhe pa vlerë”.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, miratoi një rezolutë të premten ku e kritikonte Iranin për kundërshtimin e kërkesave ndërkombëtare.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Iranit të ndërpresë pasurimin e uraniumit dhe e ka akuzuar këtë vend për ndërtim në mënyrë të fshehtë të një fabrike bërthamore në afërsi të qytetit Kom.

Rezoluta i kërkon Iranit të ndalë menjëherë këtë projekt dhe të bëjë të ditur çdo aktivitet tjetër të fshehtë bërthamor. //mm//


XS
SM
MD
LG