Lidhje

Zvicra miraton masën për ndalimin e ndërtimit të minareve në vend


Votuesit zviceranë kanë vendosur në favor të një amendamenti kushtetues për të ndaluar ndërtimin e minareve në vend. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lisa Brajant njofton nga Parisi mbi rezultatin.

Votimi në favor të amendamentit kushtetues për ndalimin e ndërtimit të minareve i habiti ekspertët që kishin parashikuar se kjo masë do të hidhej poshtë. Rezultati tronditi edhe komunitetin mysliman të vendit, i cili përbën rreth gjashtë përqind të popullsisë së Zvicrës.

Rreth 57,5 përqind e votuesve e mbështetën nismën e udhëhequr nga Partia nacionaliste zvicerane e Popullit. Partia jepte si arsye argumentin se minaret janë simbol i pushtetit politik islamik. Në Zvicër ka vetëm katër minare dhe ato nuk do të preken nga ndalimi.

Anketat e opinionit publik para zgjedhjeve parashikonin se masa do të hidhej poshtë, dhe qeveria zvicerane u bëri thirrje shtetasve të saj të votonin kundër saj.

Ministrja e Jashtme Mishelin Kalmi-Rei tha se ajo ishte habitur nga rezultati dhe shprehu keqardhje për këtë.

Por në rrugët e qytetit zviceran të Gshtatit, regimet ishin të ndryshme.

Anton Seil tha se myslimanët që jetojnë në Zvicër duhet t’i përshtaten traditave zvicerane. Nëse ai do të jetonte në një vend tjetër, tha zoti Seil, atij nuk do t’i lejohej të ndërtonte një kishë.

Por një tjetër zvicerane, An-Mari Birnstil shprehu zhgënjim ndaj rezultatit të votimit.

Zonja Birnstil tha se ishte shumë e zhgënjyer dhe e frikësuar për pasojat e këtij rezultati.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se ndalimi i ndërtimit të minareve është shkelje e lirisë së shprehjes. Shumë myslimanë kanë shprehur shqetësimin se një masë e tillë mund të përhapej në të gjithë Evropën, duke përfshirë Francën fqinje, e cila ka rreth pesë milion myslimanë, komunitetin më të madh islamik të Evropës perëndimore. //bsa//

XS
SM
MD
LG