Lidhje

Demarkacioni i kufirit Kosovë-Maqedoni sukses i diplomacisë në Ballkan


Demarkacioni i kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë, i cili përfundoi më 17 tetor të këtij viti, dhe sfidat e këtij procesi për palët pjesëmarrëse ishte tema e një diskutimi të organizuar ditët e fundit nga Instituti i Paqes këtu në Shtetet e Bashkuara.


Analistët këtu në Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se demarkacioni i kufirit Kosovë-Maqedoni ishte një fitore e madhe diplomatike për të dy vendet që hapi edhe rrugën për njohjen e pavarësisë të Kosovës nga Maqedonia dhe e bën këtë të fundit republikën e parë ish jugosllave që demarkon të gjithë kufijtë e saj. Ky proces diplomatik bashkëpunimi, besimi të ndërsjellë dhe pajtimi u krye nga një Komision i Përbashkët Teknik, me përfaqësues nga të dy shtetet, me ndërmjetësinë e Zyrës Civile Ndërkombëtare të Kosovës.

Andrju Majkëlls këshilltar për çështjet politike dhe të sigurimit në Zyrën Civile Ndërkombëtare të Kosovës vlerësoi procesin dhe rezultatin e tij si një ngjarje me shumë rëndësi për diplomacinë në Ballkan tha theksoi se demarkacioni i kufirit mes dy vendeve është i dobishëm edhe për një sërë çështjesh praktike.

“Patrullimin e përbashkët përgjatë kufirit, që në disa raste pengon kontrabandën ndërkufitare dhe trafikimin e njerëzve, krijimin e një regjimi të ri kufitar që i krijoi kushtet Maqedonisë të hyjë në listën e Shengenit, si dhe gjëra të tjera, duke krijuar një dinamikë të re për vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian”.

Në aspektin politik, tha zoti Majkëlls, të dy palët ishin totalisht të angazhuara ta zgjidhnin problemin e përcaktimit të kufirit, duke patur parasysh pikërisht interesat e vendeve respektive për t’u integruar në strukturat euro-atlantike. Por procesi pati edhe aspektet e tij të vështira emocionale dhe ekonomike në raport me banorët e zonave kufitare për sa i përket pronësisë së tokës dhe banesës. Nuk ka patur humbje apo fitim teritoresh, shpjegoi Andrju Majkëlls, por kufiri në disa raste është devijuar që pronarët shiqptarë dhe maqedonas të mbeten brenda kufijve të vendeve të tyre.

Profesor Murat Meha, nënkryetar i delegacionit të Kosovës në Komisionin e Përbashkët Teknik, tha se kjo ishte një nga sfidat më të vështira të procesit. Pati edhe raste kur nuk u bë e mundur një zgjidhje e tillë dhe kjo çështje u trajtua me rregulla të posaçme mes qeverive të dy vendeve për t’u dhënë mundësi banorëve, pronat e të cilëve mbetën në anën tjetër të kufirit të vazhdojnë t’i administrojnë ato, ose në disa raste qeveritë t’i kompensojnë pronarët.

“Në anën maqedonase të kufirit kanë mbetur 31.5 prona private që u përkasin banorëve të Kosovës. Kufiri është 173 kilometra dhe përgjatë zonës kufitare shtrihen shtatë komuna dhe 38 vendbanime për sa i përket teritorit të Kosovës. Çështjet e këtyre zonave, që në fillim, janë trajtuar në frymën e bashkëpunimit ndërkufitar mes dy vendeve”.

Kryetari i delegacionit maqedonas në Komisionin e Përbashkët Teknik, Todor Nanev, vlerësoi si një shembull të shkëlqyer bashkëpunimi me interes reciprok punën 18 mujore të komisionit dhe theksoi se demarkacioni i kufirit Kosovë–Maqedoni, si dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia, janë faktorë të rëndësishëm për stabilitetin në rajon.

“Demarkacioni i gjithë kufirit të Maqedonisë dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Maqedonisë me Kosovën është shprehje e vendosmërisë strategjike të palës maqedonase për të forcuar marrëdhëniet miqësore me vendet fqinje mbi bazat e respektit reciprok. Ato janë gjithashtu shprehje e vendosmërisë së Maqedonisë për të zgjidhur paqësisht të gjitha çështjet rajonale që mbeten të hapura në përputhje me parimet e sovranitetit, integritetit teritorial, pavarësisë politike dhe zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve mes vendeve të rajonit”.

Në diskutimin e organizuar nga Instituti amerikan i Paqes morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të grupeve të punës nga Kosova dhe Maqedonia. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe ambasadorët e Kosovës dhe Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. //mm//

XS
SM
MD
LG