Lidhje

Hyseni: Shqyrtimi i ligjshmërisë do të rikonfirmojë pavarësinë


Sot në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, filloi procesi i shqyrtimit të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përfaqësuesit e Serbisë të parët filluan prezantimin e qëndrimeve të tyre kundër pavarësisë së shtetit të ri. Ambasadori i Serbisë në Francë, Dushan Batakoviç, duke e cilësuar Kosovën, "djep të Serbisë", tha se shpallja e pavarësisë ishte e paligjshme dhe në masë të madhe e sfidon rendin ligjor ndërkombëtar.

"Deklarata e pavarësisë paraqet shkelje flagrante të sovranitetit dhe të integritetit territorial", ka thënë ambasadori Batakoviç.

Delegacioni i Kosovës filloi prezantimin e tij pasdite dhe fjalën hyrëse e mbajti ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni. Në një bisedë telefonike me korrespondentin tonë në Prishtinë, Besim Abazi, Ministri Hyseni tha se qëndrimet e paraqitura nga Beogradi nuk paraqesin ndonjë risi dhe e bëjnë atë optimist për një përfundim pozitiv të procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

"Ç'është e vërteta nuk dëgjuam asgjë të re, dëgjuam të njëjtat formulime pa mbështetje që vazhdimisht janë thënë rreth pavarësisë së Kosovës, rreth Kosovës në përgjithësi dhe kjo na bën akoma më optimistë që në fund të këtij procesi, gjykata do të japë një mendim krejtësisht neutral dhe nuk e dëmton aspak pavarësinë e Kosovës, madje mund të mos japë edhe mendim fare që esencialisht do të jetë një rikonfirmim i përcaktimit të Kosovës për pavarësinë dhe sovranitetin", tha Ministri Hyseni.

Ministri Hyseni nënvizoi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe i cilësoi të pakuptimta kërkesat e Beogradit për një proces të ri negociatash për statusin e Kosovës...

"Pavarësia e Kosovës është e panegociueshme dhe neve vetëm mund të bisedojmë me Serbinë për çështje të interesit të ndërsjellë si dy shtete të pavarura dhe sovrane dhe përjashtohet çdo mundësi e rishikimit të negociatave, madje unë do ta bëj me dije sot para Gjykatës se edhe përpjekja më e vogël për ta bërë këtë mund ta destabilizojë skajshëm gjithë rajonin, madje mund të sjellë edhe konflikte të reja. Natyrisht duke qenë një shtet i përgjegjshëm, me ndjenjë të fortë të përgjegjësisë edhe për rajonin ne nuk do ta lejojmë këtë".

Në tetor të vitit 2008 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë votash kërkesën e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të jap një opinion lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës e cila u shpall më 17 shkurt të vitit 2008. Pavarësia e Kosovës është njohur deri tash nga 63 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

Vendimi i Gjykatës, çfarëdo që të jetë pritet të ushtrojë ndikim edhe në ritmin e njohjeve për shtetin e ri.

"Ju e dini që unë nuk kam hezituar që ta them vazhdimisht që një numër i vendeve kanë hezituar ta njohin Kosovën para se të mbyllej ky proces në gjykatë. Po të njejtat vende vazhdimisht po ashtu kanë theksuar se nuk e kushtëzojnë njohjen me epilogun, por krejt çka duan është të respektojnë një institucion të OKB-së dhe me të drejtë natyrisht presin që pas mbylljes së këtij procesi në gjykatë, të përshpejtohet edhe ritmi i njohjeve të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran", tha Ministri Hyseni.

Nga nesër në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, argumentet e tyre për dhe kundër pavarësisë së Kosovës do t'i paraqesin përfaqësuesit e 28 vendeve të botës.

Procesi në këtë Gjykatë pritet të zgjasë më muaj, ndërsa opinioni i saj nuk është detyrues për asnjërën palë. Njohësit e së drejtës ndërkombëtare janë të bindur se Gjykata nuk do të jap një opinion të prerë rreth kësaj çështjeje.//kk//

XS
SM
MD
LG