Lidhje

Evropa dhe Natoja, reagime pozitive ndaj njoftimit të Presidentit


Evropa dhe Natoja kanë reaguar pozitivisht ndaj njoftimit të Presidentit Obama për dërgimin e 30 mijë trupave shtesë në Afganistan për fushatën kundër talebanëve dhe al-Kaidës. Por këto reagime nuk ulin shqetësimet e publikut për luftën.

Ishte një vendim i shumëpritur, veçanërisht në Britani, kontribuesi numër dy me trupa në Afganistan:

“Si Komandant i Përgjithshëm, kam arritur në përfundimin se është në të mirë të interesit jetik të vendit për të dërguar 30 mijë trupa shtesë në Afganistan. Pas 18 muajsh, trupat tona do të fillojnë të kthehen në atdhe.”

Në komentet që bëri para Dhomës së Komuneve sot, kryeministri britanik Gordon Brown e mirëpriti vendimin për shtim trupash që do të rezultonte në rreth 100 mijë trupa amerikane të dislokuara në Afganistan.

“Mendoj se e gjithë Dhoma e Komuneve do ta mirëpresë njoftimin e Presidentit Obama, qoftë objektivat e këtij misioni në lidhje me talebanët si dhe me al-Kaidën, qoftë edhe numrin shtesë të trupave, një pjesë e madhe e të cilave do të dërgohen në provincën Helmand dhe do të ndihmojnë për t’iu kundërvënë kryengritjes talebane atje.”

Britania ka rreth 9500 trupa në Afganistan, përfshirë Forcat Speciale dhe zoti Brown premtoi këtë javë të dërgojë 500 trupa shtesë.

Por në Afganistan nuk ka vetëm trupa amerikane dhe britanike, por janë të dislokuara edhe forca nga rreth 40 vende të tjera që veprojnë nën komandën e Natos.

Në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Anders Foh Rasmusen e mirëpriti njoftimin e Presidentit Obama:

“Mendoj se është vendimi i duhur për Afganistanin dhe Naton. Ky nuk është vetëm një mision amerikan. Ka 43 vende të tjera në terren nën komandën e Natos dhe kam besim se aleatët dhe partnerët tanë do të angazhohen për një rritje të ndjeshme të trupave të tyre.”


Lufta në Afganistan ka pasur një kosto të konsiderueshme. Më shumë se 1 mijë e 500 trupa të huaja janë vrarë në Afganistan që kur filloi lufta në vitin 2001; më shumë se 900 prej tyre ishin amerikanë.

Megjithëse mbështetja për trupat vazhdon të jetë e lartë, anketat e opinionit tregojnë se mbështetja për luftën ka rënë, gjë që nënkupton pasiguri. Në Britani ka pasur debate të hapura që vënë në pikëpyetje aftësinë për sukses dhe për t’u tërhequr nga Afganistani.

Shumë veta e mirëpresin njoftimin e Presidentit Obama se trupat amerikane do të fillojnë tërheqjen nga Afganistani nga mesi i vitit 2011. Por analisti i çështjeve të sigurisë David Livingston në qendrën kërkimore Chatham House në Londër thotë se afatet e ngurta kohore sjellin probleme:

“Ka të ngjarë që talebanët të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të ushtruar presion më të madh politik, gjë që do ta bënte datën e tërheqjes të pazbatueshme. Si rezultat do të krijohej destabilitet në perceptimin publik lidhur me mënyrën si do të zhvillohet fushata në periudhën afat-gjatë.”

Sekretari i Përgjithshëm i Natos Rasmusen thotë se ka besim se do të ketë një shtim të numrit të trupave të dislokuara. Por udhëheqësit evropianë kanë nguruar të bëjnë zotime të reja konkrete. Kjo temë është në krye të rendit të ditës në takimin e Ministrave të Jashtëm të Aleancës këtë javë në Bruksel. //ii

XS
SM
MD
LG