Lidhje

Riciklimi i pajisjeve elektronike dhe baterive të të gjitha tipeve


Riciklimi është një nga mënyrat më të lehta për të ngadalësuar ngrohjen globale. Sot, praktikisht gjithçka, përveç vetë tokës, është e riciklueshme. Riciklimi ndihmon në reduktimin e çlirimit të gazit karbonik që nga aktiviteti industrial tek ai individual. Po ashtu riciklimi kontribuon ndjeshësh në ruajtjen e sipërfaqes së tokës, duke minimizuar dhe eventualisht zhdukur fushat e hedhurinave. Në serinë e përjavëshme “Prirjet e Gjelbra”, kolegia Isabela Çoçoli sjell hollësi për programet e riciklimit të telefonëve celularë, të pajisjeve ekektronike dhe të baterive, në kuadrin e mbrojtes dhe pastërtisë së mjedisit.

Me avancimin e vazhdueshëm të teknologjisë portative, konsumatorët ndërrojnë telefonët celularë rregullisht, por kjo prirje ka edhe anën e vet negative pasi telefonët e vjetër përfundojnë në fushat e plehrave.

Llogaritet se rreth çdo vit blihen 18 milionë celularë, por vetëm 5% e atyre që dalin jashtë përdorimit riciklohen. Uzinat e riciklimit të pajisjeve elektronike, ku telefonët celularë çmontohen dhe groposen, janë esenciale për të përballuar sasitë e mëdha të mbetjeve elektronike. Disa celularë përmbajnë metale të çmuara si ari dhe argjendi, por edhe substanca toksike si kadiumi dhe mërkuri. Nëse ato përfundojnë në fushat e hedhurinave, paraqesin rrezikun e rrjedhjes në tokë, duke ndotur mjedisin përqark.

Prandaj është me shumë rëndësi që zotëruesit e telefonëve celularë të jenë sa më të informuar që të ndjekin rrugën më të përshatëshme për hedhjen e tyre, në mënyrë që të gjithë t’i shërbejnë një të ardhmeje më miqësore për mjedisin.

Po ashtu, ndërkohë që kompjuterat personalë bëhen gjithnjë e më popullorë dhe numri i atyre që zëvendësohen me modele më të rinj shtohet, vëllimi i mbetjeve elektonike në mbarë botën po shtohet ndjeshëm.

Riciklimi i një komputeri në Shtetet e Bashkuara ose në Evropë kushton reth 20 dollarë, por në Indi kostoja e këtij shërbimi është rreth dy dollarë. Me një varfëri të tejskajshme dhe me një krah pune tepër të lirë, India është bërë depoja jozyrtare e hedhjes së mbeturinave elektornike të botës. Punëtorët që nxjerrin jetesën këtu thithin ajrin e ndotur nga avujt e plumbit, mërkurit dhe kadmiumit.

Metoda të tjera janë zhytja e kabllove në acid për të ndarë plastikën nga bakri i shtrenjtë. Pas një përdorimi, acidi derdhet në ujrat e zeza. Këto praktika rudimetare riciklimi janë tepër të dëmshme si për mjedisin ashtu edhe për vetë punëtorët.

Çdo vit Britania e Madhe nxjerr jashtë përdorimit deri në 300 milionë bateri, shumica e të cilave përfundojnë në fusha hedhurinash që sjellin efekte të rrezikëshme anësore.

Tani britanikët po testojnë një program pilot mbarëkombëtar riciklimi me synimin për të eliminuar 51 milionë bateri nga fushat e hedhurinave. Programi është ndërmarrë në përgjigje të një direktive evropiane që e ka bërë të detyruar riciklimin e baterive që nga viti 2008.

Për faktin se bateritë e pajisjeve të dëgjimit ndërrohen shpesh, ato sjellin 17 përqind të baterive të hedhura në Britaninë e Madhe. Në vazhdën e përpjekjeve për të eliminuar sa më shumë këto mbeturina, po punohet për pajisje dëgjimi të rikarikueshme dhe kudo që ato shiten janë vendosur kosha për grumbullimin e pajisjeve të papërdorëshme.

Meqë metalet e rënda që përdoren në prodhimin e baterive, si kadmiumi dhe mërkuri mund të krijojnë probleme afatgjata për mjedisin, programe për riciklimin falas janë një nga zgjidhjet që fushat e grumbullimit të baterive të mos bëhen burime të rrezikshme biologjike.//ii

XS
SM
MD
LG