Lidhje

Presidenti Obama shpall strategjinë e re për Afganistanin


Pas disa muajsh analizash dhe debatesh me këshilltarët, presidenti Obama njoftoi planin për dërgimin e trupave shtesë në Afganistan. Ai e shpalosi strategjinë e tij me një fjalim që mbajti mbrëmë në Akademinë Ushtarake Amerikane West Point në Nju Jork, i cili u transmetua nga rrjetet kryesore televizive të vendit.

“30 mijë trupat shtesë që po njoftoj sonte do të dislokohen në pjesën e parë të vitit 2010 me shpejtësi sa më të madhe që ata të mund të vënë në shënjestër kryengritësit dhe të sigurojnë qendrat kryesore”, tha Presidenti.

Kjo forcë do t'i shtohet rreth 68 mijë ushtarëve amerikanë që ndodhen në Afganistan dhe disa dhjetëra mijëra trupave aleate. Presidenti e mbajti fjalimin ndërkohë që mbështetja amerikane për luftën vazhdon të bjerë. Një anketë e re e organizatës Gallup tregon se vetëm 35 përqind e amerikanëve të anketuar mbështesin kursin e Presidentit Obama në Afganistan, 55 pëqind janë kundër.

Në fjalim zoti Obama tha se Afganistani nuk është humbur por ka bërë hapa prapa për disa vite. Ai tha se Al Kaida po planifikon akte të reja terrori nga streha e sigurt përgjatë kufirit afgano-pakistanez me mbështetjen e talebanëve.

“Ne duhet ti mohojmë Al Kaidës një strehë të sigurt. Duhet të zbrapsim mësymjen talebane dhe t'i refuzojmë mundësinë për të përmbysur qeverinë. Duhet të forcojmë aftësitë e forcave afgane të sigurisë dhe të qeverisë në mënyrë që ato të marrin përgjegjësinë kryesore për të ardhmen e Afganistanit.”

Presidenti u kërkoi vendeve aleate që të kontribojnë me më shumë trupa për të luftuar në Afganistan dhe shprehu besimin se ato do ta bëjnë këtë.

“Miqtë tanë kanë luftuar, kanë derdhur gjak dhe kanë dhënë jetën përkrah nesh në Afganistan. Tani duhet të bashkohemi për t'i dhënë fund me sukses kësaj detyre. Ajo që sot vihet në provë, nuk është kredibiliteti i Natos por siguria e vendeve aleate dhe mbarë botës.”


Zoti Obama tha se strategjia e tij do të mundësojë tërheqjen e trupave nga mesi i vitit 2011, në varësi të kushteve në terren. Ky aspekt i planit ka shkaktuar kundërshtime nga republikanët në Kongres, shumë prej të cilëve janë kundër caktimit të një date për tërheqjen.

Senatori republikan John McCain mendon se plani i presidentit do të ketë sukses por tha se zoti Obama nuk duhet të verë afate për tërheqjen nga Afganistani.

“Njoftimi i datës së tërheqjes më shqetëson shumë sepse mund të krijojë përshtypjen se ne do të jemi të pranishëm në Afganistan për një kohë të shkurtër dhe talebanët duhet të presin deri sa ne të tërhiqemi. Mënyra për të fituar luftën është të thyesh vullnetin e armikut e jo të njoftosh datën se kur do të tërhiqesh," tha zoti McCain.

Por zoti Obama ka thënë se misioni në Afganistan nuk është një mision pa afat.

Ai tha në fjalim se “Sëbashku, trupat shtesë amerikane dhe ndërkombëtare do të na lejojnë të shpejtojmë kalimin e përgjegjësive tek forcat afgane dhe na mundëson fillimin e largimit të trupave amerikane nga Afganistani në korrik të vitit 2011.”

Një mision i rendësishëm i trupave do të jetë trajnimi i forcave afgane që të marrin vetë përsipër luftën kundër talebanëve dhe të mbrojnë sigurinë e vendit të tyre. Shumica e talebanëve strehohen në Pakistan prandaj presidenti theksoi nevojën e vazhdimit të partneritetit me qeverinë e Islamabadit.

Nismat civile do të luajnë një rol të madh në strategjinë amerikane, kryesisht në zhvillimin e bujqësisë së rajonit, arsimin dhe ekonominë. Zoti Obama tha gjithashtu se Uashingtoni do të kërkojë përmirësimin e qeverisjes nga Afganistani dhe Pakistani.

“Ne do të punojmë me partnerët, Kombet e Bashkuara dhe popullin e Afganistanit për të arritur një strategji civile më efikase, në mënyrë që qeveria të përfitojë nga përmirësimi i sigurisë. Kjo përpjekje duhet të bazohet mbi efektshmërinë e qeverisjes.”

Presidenti tha se strategjia e re në Afganistan do ti kushtojë Amerikës rreth 30 miliard dollarë në vitin që vjen dhe se do të punojë nga afër me Kongresin për të zgjidhur problemin e kostos ndërkohë që adminstrata përpiqet të rimëkëmbë ekonominë e përfshirë nga recesioni. Gjatë muajve të fundit zoti Obam zhvilloi disa takime me këshilltarët e tij ushtarakë dhe të politikë, duke përfshirë edhe komandantë nga vija e frontit në Afganistan.

STRATEGJIA E RE, REAGOJNË LIGJVËNËSIT

Ligjvënësit amerikanë reaguan në mënyra të ndryshme ndaj strategjisë së re të presidentit Obama për Afganistanin. Disa, përfshi anëtarë të partisë demokrate po shprehin shqetësim rreth vendimit të tij për të dërguar më shumë trupa në Afganistan.

Ligjvënës republikanë dhe demokratë thanë se elektorati i tyre po shtron pyetje lidhur me shtimin e trupave të përfshira në Afganistan, kur ka një numër çështjesh të brendshme që kërkojnë zgjidhje.

Por senatori republikan John McCain vlerësoi sot vendimin e presidentit.

Zoti McCain i cili humbi garën presidenciale ndaj zotit Obama tha se forcat shtesë, si dhe një angazhim më i madh i aleatëve të Shteteve të Bashkuara do të bëjnë që kryengritja të dobësohet, ndërsa do të krijojë kushte për sukses në Afganistan.

Ai foli para Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura. Zoti McCain që është anëtar i larte i komisionit tha se kundërshton caktimin arbitrarisht te një date për fillimin e tërheqjes së trupave. Ai tha se kjo vetëm se do të forconte al-kaidën dhe Talebanin.

XS
SM
MD
LG